Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur paraditen e sotme në Tiranë, ku një person me probleme të shëndetit mendor është arrestuar nga efektivët e Policisë së kryeqytetit brenda një autobusi. Ngjarja është zhvilluar pranë terminalit, në vendin e njohur si Kthesa e Kamzës.
Qytetarët kanë raportuar se personi që shikoni në pamje, rreth 60 vjeç, kishte marrë peng për 30 minuta një autobus me 20 pasagjerë. Newsbomb.al ka kontaktuar me Blutë e Tiranës dhe mëson se nuk bëhet fjalë për asnjë pengmarrje, por për një person me probleme mendore.
Personit në fjalë i janë vendosur prangat brenda në autobus, ndërsa nga pamjet shihet se xhami i parë i mjetit që shërben për transport ndërqytetas është i dëmtuar. Shtetasi me inicialet P.B ndodhet në ambientet e Policisë për verifikime të mëtejshme hetimore.
Njoftimi i Policisë së Tiranës për rastin:
Në lidhje me një foto të postuar në portale, për një mjet autobus te Kthesa e Kamzës, ju sqarojmë se: Sot, rreth orës 08:30, është marrë njoftim se te Kthesa e Kamzës, një shtetas, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, ka thyer xhamin e një autobusi.
Shërbimet e Policisë, pasi kanë marrë njoftimin, kanë kaluar në vendin e njoftimit (autobus) dhe kanë shoqëruar autorin e dyshuar, shtetasin P. B., 60 vjeç, në ambientet e Policisë, për veprime të mëtejshme peocedurale.