Grupi kriminal që rrëmbeu 17 misionarë amerikanë e kanadezë në Haiti ka kërkuar nga një milion dollarë për lirimin e secilit të rrëmbyer, tha një zyrtar i lartë haitian të hënën, raporton gazeta e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”.
Gjashtëmbëdhjetë shtetasit amerikanë dhe një kanadezë u rrëmbyen nga banda e fuqishme, “400 Mawozo”, të shtunën pas një vizite në një jetimore në Croix-des-Bouquets, thanë zyrtarët në fundjavë.
Ministri i Drejtësisë në Haiti, Liszt Quitel, tha të hënën se misionarët janë duke u mbajtur në një shtëpi të sigurt nga rrëmbyesit, të cilët kanë kërkuar gjithsej 17 milionë dollarë për lirimin e grupit të rrëmbyer, raportoi gazeta “The Wall Street Journal”.
FBI-ja dhe policia e Haitit janë në kontakt me rrëmbyesit, duke shtuar se negociatat mund të zgjasin disa javë, i tha gazetës amerikane zyrtari i lartë haitian.
Misionarët e rrëmbyer janë të lidhur me një organizatë të krishterë në Ohio të ShBA-së, e cila të dielën e konfirmoi rrëmbimin e tyre, duke thënë se grupi i rrëmbyer përbëhet nga pesë burra, shtatë gra dhe pesë fëmijë.