Armando Broja ka qenë emri më i lakuar këto ditë në median sportive në Shqipëri, por edhe në disa prej medieve kryesore angleze, pas golit që ai shënoi për Sauthemptonin e tij në fitoren e fundjavës, një gol që rezultoi me vlerë trepikëshe.

Broja po kalon momente magjike këtë sezon, dëshmuar dhe me paraqitjen e tij të mirë me përfaqësuesen kuqezi, ku ai realizoi tre gola në katër takime të luajtura, madje në këto katër takime vetëm njërin luajti si titullar, atë ndaj San Marinos, një pjesë loje, kurse në takimet e tjera ka luajtur zëvendësues vetëm disa minuta në secilin takim në pjesën e dytë të tyre.

E megjithatë, falë golave të tij Shqipëria mori 9 pikë në këto katër ndeshje, 6 pikë ndaj Hungarisë dhe 3 pikë ndaj San Marinos. Veçanërisht me dy fitoret 1-0 ndaj hungarezëve, Broja ishte vendimtar me golat personalë, duke dëshmuar talentin e tij dhe që është një fenomen në rritje. Ai ka dalë nga akademia e Çelsit dhe është profesionist në çdo detaj. Çelsi e ka testuar jo vetëm me skuadrën e të rinjve, ku ai la gjurmë, por e huazoi edhe në Holandë një vit më parë, tek Viteshe, ku djaloshi shqiptar shënoi shumë gola dhe nxiti klubin ta kthente menjëherë në Premier League.

Ai u stërvit me Çelsin në fazën përgatitore dhe trajneri gjerman i klubit, Tomas Tuhel e pëlqente dhe ishte gati ta “federonte” në listën e lojtarëve të nevojshëm, por klubi e pa të udhës ta huazonte sërish, për të mos e djegur në stol, duke e dërguar tek Sauthemptoni. Nuk ka pasur minutazh të plotë, por së fundmi ua ka mbyllur gojën të gjithëve me atë gol me vlerë fitoreje kundër Lidsit. Tani, tifozët dhe të gjithë teknikët e Çelsit duan që djaloshi shqiptar të kthehet në radhët e bluve të Londrës. Në janar pritet që ai të kthehet nga trajneri Tuhel në bazë, për të riveshur fanellën blu të Çelsit.

Vlerësimi i Micah Riçard

Pas ndeshjeve fantastike me Kombëtares e Shqipërisë, erdhi momenti që Armando Broja të tregojë aftësitë edhe me klubin e tij të Sauthampton, në Premier League. Në ndeshjen e parë titullar me Sauthemptonin në kampionatin anglez arrin të debutojë me gol, i cili më pas do i jepte edhe tre pikët skuadrës. Paraqitja pozitive të tij në fundjavë kanë marrë edhe vlerësimin e Micah Riçard.

Sipas “BBC sport”, ish-lojtari i Mançester Sitit, tashmë analist në studiot televizive, ka thurur elozhe për 20-vjeçarin shqiptar, duke e cilësuar atë një sulmues të shkëlqyer dhe se gjithçka ishte shpërblim për punën e palodhur. “Broja ishte i shkëlqyer. Vetëm 20 vjeç dhe në huazim nga Çelsi. Klubi ka një akademi të madhe, me të vërtetë e ka. Broja vendosi ritmin që nga fillimi i ndeshjes.

Ai po punonte shumë për skuadrën që ta kthente topin dhe disa njerëz mund të mendojnë se është e thjeshtë, por ajo vendos ritmin. Ai merr shpërblimin për të gjithë punën e tij të palodhur. Ishte te Viteshe sezonin e kaluar ku shënoi 11 gola, shënoi për Shqipërinë edhe në mesjavë. Ishte një gol i bukur kundër Lids dhe kjo është ajo që i nevojitet. Koha e duhur, vendi i duhur. Besimi u rrit, ai po vraponte prapa. Kur i sheh sulmuesit tuaj që kthehen pas për të marrë topin kjo i bën tifozët të ndizen dhe kjo është ajo që i duhej Sauthemptonit”, deklaroi Riçard.