Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka reaguar në lidhje me mungesën e artistes Inva Mula në mbrëmjen gala që u mbajt disa ditë më parë, ku u inagurua dhe skena e re e këtij institucioni.
TKOB ka nxjerrë email-et dhe mesazhet ku Mula është ftuar që të interpretojë në mbrëmjen GALA, por për arsye që nuk dihen ende, artistja ka vendosur që të mos përgjigjet.
Në media është përfolur vazhdimisht për një përplasje mes drejtoreshës së TKOB Zana Çela dhe sopranos Inva Mula, edhe pse dy protagonistet kanë preferuar që të mos bëjnë koment për diferencat në medime mes tyre.
NJOFTIM PER SHTYP
Të nderuar,
Në respekt të ndjekësve fanatik të TKOB, publikut të gjerë, artistëve dhe medias, ju informojmë në lidhje me të vërtetën e ftesave zyrtare, të cilat ju janë bërë artistëve ekselentë shqiptar, për pjesëmarrjen në programin e Mbrëmjes Gala të Inaugurimit të Rikonstruksionit të TKOB.
TKOB nëpërmjet Drejtoreshës Artistike, znj. Abigeila Voshtina, ashtu si të gjithë artistëve shqiptar ekselentë, i ka dërguar edhe znj. Inva Mula ftesat zyrtare për pjesëmarrjen në programin artistik të Mbrëmjes Gala të Inaugurimit të Rikonstruksionit të TKOB.
Këto ftesa zyrtare, janë përsëritur tre herë, duke filluar nga data 11 NËNTOR 2019, pasi TKOB ka patur në planet e veta që atëherë realizimin e Mbrëmjes Gala të Inaugurimit, plane të cilat janë shtyrë për shkaqe madhore si: tërmeti i nëntorit 2019 dhe më pas situata Covid 19.
Më poshtë gjeni tre email-et e dërguara në tre periudha të ndryshme, që përkojnë me parashikimet tonë të rihapjes së teatrit. Email-i i fundit zyrtar nga Drejtoresha Artistike e TKOB, znj. Abigeila Voshtina është dërguar në adresë të znj. Inva Mula në 19 KORRIK të vitit 2021 me shpresën që ajo do të kishte mundësi të merrte pjesë në Mbrëmjen Gala, por deri më tani nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
Sqarojmë gjithashtu se një muaj përpara ftesës së fundit zyrtare të bërë nga Drejtoresha Artistike, znj. Voshtina (në email-in e datës 19 KORRIK 2021), Drejtoresha e Përgjithshme e TKOBAP-së, znj. Zana Çela i ka dërguar në datë 14 QERSHOR 2021 një mesazh shoqëror në WhatsApp, znj.Mula, por edhe në këtë rast nuk ka patur asnjë përgjigje. Më poshtë gjeni të renditur sipas datave ftesat zyrtare në email dhe mesazhin.