Detaje të reja vijnë nga aksidenti i ndodhur mbrëmjen e djeshme në Selitë. Mësohet se polici që shkaktoi aksidentin, Izidor Heta, është me detyrë në policinë rrugore. Mësohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara e efektivit të policisë rrugore. Ai ka udhëtuar me shpejtësi, e si pasojë e shpejtësisë, goditi makinën e gardës që shoqëronte gjyqtaren e gjykatës së Posaçme Irena Gjoka.

Në dëshminë e dhënë, polici është shprehur se ai ka humbur kontrollin e ka goditur mjetin e gardes, për shkak të shiut e terrenit rrëshqitës, por në fakt ai ishte tej normave të qarkullimit rrugor. Ndërsa shoferi i gjyqtares Gjoka, Ardian Disha, në deklarimet e tij është shprehur se polici i ka ndjekur ato që prej Rinasit, e deri në Selitë, ku gjyqtarja kishte shkuar në aeroportin “Nënë Tereza”, për të pritur djalin e saj. Sipas të dhënave, gjatë kësaj rruge, Garda e Republikës, pra shoqëruesit e gjyqtares, i kanë kërkuar  tre herë personit të aksidentit që të distancohej dhe të mos hynte më në eskortim, por polici rrugor nuk është bindur, derisa shkaktoi aksidentin.

Për këtë shkak pritet të sekuestrohen edhe kamera sigurie për të parë veprimet e tij. Kujtojmë se një muaj më parë, Garda e Republikës shtoi masat e sigurisë fizike për gjyqtaren antikorrupsion, Irena Gjoka, të cilës nga katër truproja iu vendosën 6 edhe në banesë. Shtimi i sigurisë ndodhi mbas sulmeve verbale ndaj gjyqtares, pas vendimit të datës 20 tetor, ku vendosi detyrim paraqitje për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe arrest me burg për Jamarbër Malltezin. Gjyqtares Gjoka për mbrojtjen e saj i janë vënë 4 truproja, kjo për shkak të detyrës, që ajo mban si drejtuese e Gjykatës së Posaçme.