Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka folur shkurtimisht në Komisionin e Ligjeve për ndërhyrjen e policisë në datë 19 janar, kur u prishën disa banesa në “5 Maj” dhe nuk munguan përplasjet mes policisë dhe banorëve.

Menjëherë pas fjalës së tij, ku theksoi se policia ka ndërhyrë pas disa kërkesave për mbështetje nga Bashkia Tiranës, drejtori është larguar nga mbledhja.

Kjo ka sjellë ‘shpërthimin’ e deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili i tha drejtorit se nuk iket ashtu me vrap, duke shtuar se dhe drejtorin e ka kapur sindroma e shmangies së përgjegjësisë.

Pjesë nga Komisioni i Ligjeve

Nano: Në datë 19 janar, struktura e Policisë së shtetit, në mbështetje të kërkesave të bashkisë Tiranë, kanë ndihmuar në lirimin e sheshit për prishjen e banesave në rrugën 5 Maji. Në vijim të kërkesës për shmangien e incidenteve gjatë prishjes së banesave në rrugën 5 Maji, si dhe kërkesës së Komisariatit numër 4 për mbështetje. Është tentuar t’i vihet flaka një mjeti parkuar në një nga shtëpitë, që mund të rrezikonte jetën e banorëve, në këto kushte janë shoqeruar 8 shtetas. Theksojmë se gjatë shoqerimit të personave në fjalë është përdorur forcë proporcionale. Personat e shoqeruar janë lënë të lirë menjëherë pas procedurave. Në një intervistë në media, shtetasi në fjalë ka kërcënuar publikisht kryetarin Erion Veliaj. Po ashtu është paraqitur në komisariat, një shtetas i cili thotë se është dëmtuar gjatë ushtrimit të detyrës së tij si gazetar, nga policia. Mbështetja do të vijojë në bazë të kërkesave të bashkisë Tiranë.

Bushka: Atëherë i japim leje Gledis Nanos të largohet, siç i dhamë leje që në fillim. Nënkryetari do të qëndrojë.

Alibeaj; Nuk ikët ashtu me vrap, çfarëdo që të ndodhë. Nuk është ai drejtuesi operacional. Nëse dhe ky drejtues, është dhe ky i përpirë nga sindroma e të shmangurit te detyrimit ligjor ndaj qytetarëve, e ka nisur në rrugë jo të mbarë. Është detyrim të përgjigjesh asaj që kërkojnë qytetarët. Tha që ja kanë kërkuar Erion veliaj dhe dy ka dëgjuar intervistat e banorëve që na paskan kërcënuar Erion Veliajn.