NASA ka zbuluar gjatë ditës së djeshme një mozaik me pamjet e para të regjistruara nga James Webb Space Telescope (JWST). Këto imazhe përfaqësojnë fazat e para të rreshtimit të 18 segmenteve pasqyrë të teleskopit, para se ai të arrijë potencialin e tij të plotë.

Sigurisht që imazhet janë pak të turbullta, por në momentin që segmentet të jenë të rreshtuara në modelin përfundimtar, fotografimet e universit do të jenë shumë më të qarta.
18 pikat e dritës që shfaqen në imazh prezantojnë të njejtin yll të izoluar, të quajtur HD 84406, sipas këndvështrimit të segmenteve pasqyrë të ndryshme. Drita e grumbulluar nga këto segmente u reflektua në pasqyrën dytësore të JWST dhe më pas u mat nga një nga instrumentet e teleskopit, të quajtur Near Infrared Camera. Ky sensor do të përdoret për të zbuluar dhe për të rregulluar ndonjë gabim optik.

Proçesi i grumbullimit të dritave për të gjeneruar këtë mozaik zgjati rreth 25 orë sipas NASA. Pasqyra e JWST do të fillojë të rreshtojë pasqyra në mënyrë të rregullt gjatë muajve në vazhdim, pra këto 18 yje do të bëhen 1 sapo segmentet pasqyra të rreshtohen për të krijuar një sipërfaqje të pandërprerë.
NASA pret që pamjet e para të qarta për observim shkencor të vijnë gjatë verës së këtij viti. Mirëpo për momenitn, ekipi i JWST është tepër i kënaqur me rezultatet e imazheve të regjistruara nga teleskopi.
