◾NATO ka paralajmëruar se konflikti në Ukrainë mund të zgjasë me vite.

◾Rusia nuk i ndal sulmet, raketat kanë sulmuar Kievin ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antoni Guterres po vizitonte kryeqytetin.

◾Raketat goditën ndërtesat e banimit në një lagje, duke plagosur të paktën tre persona.

◾Raketat ranë në kryeqytetin ukrainas një orë pasi Guterres dhe presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky mbajtën konferencën e tyre të përbashkët për shtyp.

◾Zelensky gjithashtu mirëpriti kërkesën e presidentit amerikan Joe Biden drejtuar Kongresit për të dërguar 33 miliardë dollarë më shumë ndihmë për Ukrainën.

◾Ndërkohë, luftimet vazhdojnë në lindje dhe jug të Ukrainës. Rusia synon të sigurojë rajonin e Donbasit dhe qytetin jugor të Mariupolit.

OSBE do të ndalojë misionin 8-vjeçar të monitorimit në Ukrainë.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që ka mbajtur një mision vëzhgues në Ukrainën lindore prej 8 vitesh, ka njoftuar ditën e djeshme se do ta ndalojë atë.

“Ky nuk është një vendim i lehtë për t’u marrë, por pozicioni i Federatës Ruse nuk na la zgjidhje tjetër veçse të ndërmarrim hapa për mbylljen e misionit.

Misioni luajti një rol vendimtar në ofrimin e informacionit objektiv në terren, duke lehtësuar armëpushimet dhe duke punuar për të lehtësuar efektet e konfliktit mbi popullatën civile,” thanë kryetari i OSBE-së dhe ministri i jashtëm i Polonisë Zbigniew Rau.

Misioni Special i Monitorimit i OSBE-së në Ukrainë ishte vendosur që nga viti 2014 kur shpërtheu konflikti për herë të parë midis trupave ukrainase dhe rebelëve të mbështetur nga Rusia.

Sjellim në vëmendje se OSBE-ja ishte e vetmja organizatë ndërkombëtare që ndoqi drejtpërdrejt konfliktin.

“Konflikti në Ukainë mund të zgjasë me vite”

Ndërkohë disa sulme ruse kanë goditur Kievin të enjten pasi shefi i OKB-së Antonio Guterres u takua me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky. Guterres kritikoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së për dështimin në parandalimin ose përfundimin e luftës, duke e quajtur atë një burim zhgënjimi të madh.

Nga ana tjetër, presidenti Biden i ka kërkuar Kongresit të miratojë një paketë rekord ndihme prej 33 miliardë dollarësh për Ukrainën, duke përfshirë më shumë armë.