Eshte ndarë nga jeta ditën e sotme intelektuali i Elbasanit Kristaq Todri njeriu idealist në punë, shoqëri dhe familje, anëtarit të kryesisë së OKDA Elbasan.
Kristaqi, elbasanasi i devotshëm, intelektuali i aftë dhe zemërgjerë, i urtë në sjellje, dhe korrekt në punë, ruajti dhe trashëgoi gjatë gjithë jetës, vlerat dhe fisnikërinë e rrënjëve gjenetike të familjes së nderuar Todri, familje që ka vlera me përmasa të gjera kombëtare, si vatra e Dhaskal Todrit, ruajtës, mësues dhe përhapës i gjuhës shqipe.
Në këto themele të thella dhe të forta atdhetarie, u lind, u rrit, u edukua dhe u formua edhe Kristaqi , thesari i mesazheve pozitive në kulturën dhe marrëdhëniet njerëzore.
I lindur më 22 janar 1947, në Lagjen Kala, në bërthamën e familjes Todri, ai filloi punë që në moshën 13 vjeçare në Bizë, me pasionin e njeriut të dashuruar me punën. Kështu vazhdoi në Parkun e Mallrave, ndërsa përgjegjësia do ta kërkonte më pas në themelet e Kombinatit Metalurgjik, më pas si drejtor në Uzinën e Petëzimit, deri në nëndrejtor të përgjithshëm të këtij kombinati, dhe me detyra shumë të rëndësishme dhe pas saj.
Sot, nga vlerat e tij, nga më themeloret, kemi familjen e mrekullueshme që ai krijoi, po me të njëjtën edukatë dhe formim nga rrënjët e fisit Todri.
Në detyrat e shumta dhe të ndryshme që iu ngarkuan ndër vite, gjithmonë doli i nderuar, gjithmonë më i fortë, gjithmonë më i gatshëm për të rejat e vështira…
Dalja në pension për Kristaqin, ishte thjeshtë një proces që vitet ta sjellin në rrugëtimin e jetës, dhe në këtë rrugëtim, vitet e pensionit ishin sërish punë, dhe kjo kryesisht e përqendruar në nderim të Dëshmorëve të LANÇ të Elbasanit dhe mbarë vendit. Në çdo veprimtari të datave historike apo datë përkujtimore për Dëshmorët, që ka organizuar OKDA Elbasan, prania e tij ka qenë gjithmonë e padiskutueshme.
Nuk është rastësia, por është atdhetarizmi ai, që nga familja Todri, iu bashkua luftës për çlirimin e vendit, Jani Todri, i pari Dëshmor i Atdheut në LANÇ për Elbasanin, xhaxhai i Kristaqit…
E tërë familja Todri, në çdo kohë të rëndësishme historike për vendin, ka qenë gjithmonë në kahun e duhur, pavarësisht rrethanave të vështira, apo dhe shtrëngatave të forta nga antishqiptarët.
Po me këto veti të pa ndryshuara eci në jetë edhe trungu i krijuar nga prindërit, Spiro dhe Dituri, që Elbasanit i sollën dy djemtë, Kristaqin dhe Shpëtimin.
Në këtë suazë e ndërtoi familjen edhe vetë Kristaqi, me bashkëshorten Pranverën, dhe djemtë, Sokolin me Lirjanin.
Sot, ndarja fizike e familjarit, mikut, shokut dhe atdhetarit me trashëgimi atdhetare, është një vend bosh i pa zëvendësueshëm. Ai vend, do të ketë përjetësisht emrin Kristaq Todri!