Presidenti i parë i shtetit modern të Ukrainës, Leonid Kravchuk, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare, sipas kryetarit të bashkisë së Kievit, Vitaly Klitschko. Në kanalin e tij Telegram, Klitschko tha se Kravchuk ishte një njeri që mishëronte “talent, karakter të fortë dhe dije”.
Kravchuk, i cili më herët kishte qenë kryetar parlamenti dhe i Sovjetit Suprem të SSR të Ukrainës gjatë ditëve të fundit të Bashkimit Sovjetik, u bë president në dhjetor 1991 dhe qëndroi në detyrë deri në korrik 1994.
Ndër vendimet e tij më të rëndësishme ishte nënshkrimi i Protokollit të Lisbonës në vitin 1992, duke u zotuar se do të hiqte dorë nga arsenali bërthamor që i mbeti Ukrainës pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Në postimin e tij, Klitschko tha se trashëgimia e Kravchuk ishte veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur Ukraina po lufton Rusinë.
“Ne do të ruajmë sovranitetin dhe vullnetin që kemi marrë më shumë se 30 vjet më parë”, shkroi Klitschko. “Ne nuk do të tërhiqemi.”/tvklan.al