Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në përfundim të mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit se me e-albania qytetarët shqiptarë detyrohen të paguajnë më shumë për të nxjerrë një certifikatë.

Berisha theksoi se janë mijëra qytetarë që nuk kanë internet në shtëpi dhe detyrohen të shkojnë në zyra duke paguar 10 euro për të tërhequr dokumentet.

“Dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë që nuk kanë internet në shtëpi, nuk kanë smartphone. Detyrojnë të shkojnë në zyra për të tërhequr dokumentet. Nëse përpara paguanin 5 euro certifikatën, sot nga E Albania paguajnë 10 euro. Kjo është e pandershme.

Projekti i inauguruar në pranverën e vitit 2013 me katër shërbime e-albania u kompletua pas 9 vitesh me ritme breshke. Sot qytetarët që nuk kanë internet në shtëpi detyrohen të paguajnë në kancelari 10 euro. Kjo është një taksë absurde ndaj shqiptarëve. Dje kam denoncuar se një qytetar nga Saranda më informonte se certifikatat e nxjerra nga e-albania nuk pranohen në zyrat konsullore.

Dokumentet që dalin prej saj janë pa vulë dhe firmë. Një nxitim i madh pas 9 vitesh dështim, e-albania e ndërtuar me një kompani italiane fillon instalimin e shërbimeve në të. Duhet të ishte kompletuar të paktën në fund të vitit 2014. Jemi në vitin 2022 dhe ajo nuk është funksionale”, deklaroi Berisha.