Persona të armatosur, të identifikuar si talebanë kanë mësyrë në një dasmë në Afganistan, duke kërkuar që të ndalohet muzika. Kur vunë re se urdhri i tyre s’po zbatohej, ata kanë hapur zjarr duke vrarë të paktën tre persona.

Sipas mediave të huaja zëdhënësi i qeverisë talebane, Zabihullah Mujahid tha të shtunën se dy nga tre sulmuesit ishin arrestuar dhe mohoi pretendimet se ata po vepronin në emër të lëvizjes islamike.

“Mbrëmë, në dasmën e Haji Malang Janit në fshatin Shamspur Mar Ghundi të Nangarharit, tre persona që u prezantuan si talebanë hynë në dasmë dhe kërkuan që muzika të ndalej. Si pasojë e të shtënave, të paktën tre persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur. Dy të dyshuar janë marrë në paraburgim nga talebanët në lidhje me incidentin dhe njëri që u arratis është duke u kërkuar”, ka thënë zëdhënësi.