Prezantuesja e Radio Newcastle kishte dhimbje koke të forta një javë pasi bëri vaksinën dhe u sëmur rëndë disa ditë më vonë, thonë të afërmit e saj.
Prezantuesja e vlerësuar me çmime e radios BBC, Lisa Shaw, vdiq në spital pasi pësoi mpiksje gjaku pas vaksinimit të saj me AstraZeneca, ka thënë familja e saj, shkruan The Guardian, përcjell Fax News.
44-vjeçarja, e cila ishte një prezantuese e njohur në veri-lindje të Anglisë dhe kishte punuar për Radio Newcastle të BBC që nga viti 2015, pati dhimbje koke të forta një javë pasi kishte bërë vaksinën dhe u sëmur rëndë disa ditë më vonë, thanë të afërm në një deklaratë.
Shaë vdiq në spitalin Royal Victoria në Newcastle të premten e kaluar, pasi u trajtua në kujdesin intensiv për mpiksjen e gjakut dhe gjakderdhje. Ajo ishte e rrethuar nga familja, thuhej në deklaratë.
Moshave nën 40 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar po u ofrohet një alternativë ndaj vaksinës së Oxford, AstraZeneca atje ku është e mundur, pas raporteve për mpiksje jashtëzakonisht të rralla të gjakut me trombocite të ulëta. Ka pasur 309 raste në Mbretërinë e Bashkuar ndër 33 milionë njerëz që kanë marrë vaksinën AstraZeneca.
Rreziku i një mpiksjeje të lidhur me vaksinën mendohet të jetë rreth 1 në 100,000 për njerëzit në të 40-at e tyre, sipas Agjencisë Rregullatore të Medikamenteve dhe Produkteve Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar (MHRA). Rreziku i vdekjes në të gjitha grupmoshat është vendosur në rreth 1 në një milion.
MHRA ka thënë se përfitimet e vaksinës vazhdojnë të tejkalojnë rreziqet për shumicën e njerëzve. Nuk ka prova se vaksina shkakton mpiksjen, por po thuhet se lidhja po bëhet më e fortë.
Kolegët dhe dëgjuesit kanë bërë homazhe për Shaw që kur vdekja e saj u njoftua nga Alfie Joey në emisionin e së dielës në mëngjes në Radio Newcastle.
Në një deklaratë të lëshuar nga BBC, familja e Shaw tha: “Ne jemi të shkatërruar dhe ka një boshllëk në formën e Lisa në jetën tonë që nuk mund të mbushet kurrë. Ne do ta duam dhe do të na mungojë gjithmonë.”
“Ka qenë një ngushëllim i madh për të parë se sa e dashur ishte ajo nga të gjithë ata, jetën e të cilëve ajo preku dhe ne kërkojmë privatësi në këtë kohë për të na lejuar të pikëllohemi si familje.”
Shaw më parë ka punuar në radio komerciale dhe fitoi një çmim Sony Gold në 2012 për shfaqjen e mëngjesit që ajo drejtoi në Real Radio me Gary Philipson.
Rik Martin, redaktori ekzekutiv i BBC Radio Newcastle, tha: “Të gjithë në këtë kanal janë të shkatërruar dhe po mendojnë për familjen e bukur të Lizës. Ajo ishte një kolege e besuar, një prezantuese e shkëlqyer, një shoqe e mrekullueshme dhe një grua dhe nënë e dashur.
“Ajo pëlqente të ishte në radio dhe ishte e dashur nga audienca jonë. Ne kemi humbur dikë të veçantë që do të thoshte shumë, për shumë njerëz. ”