Home SPORT “Ndëshkohen” futbollistët shqiptarë

“Ndëshkohen” futbollistët shqiptarë

41

Janë të shumtë shqiptarët që luajnë në kampionatin turk teksa në këto vitet e fundit kemi pasur shumë transferime nga Superliga por gjysma ose më shumë kanë dështuar duke u kthyer këtu në atdhe…

Por, megjithatë, edhe sot ka një “ushtri” futbollistësh kuqezi në kampionatin turk, më së shumti në elitë.

Mes tyre, edhe dy shokë të ngushtë në kombëtaren e Shqipërisë: po flasim për Odise Roshin dhe Bekim Balajn që në karrierën e tyre thuajse gjithmonë kanë lëvizur “si paketë”, pra dyshe, nga një skuadër të tjetra.

E kanë bërë këtë gjë te Rijeka edhe Ahmat Grozny, ndërsa tani janë të Boluspor. Por, kjo ka qenë një fundjavë për t’u harruar për fierakun dhe shkodranin.

Dy lojtarët e kombëtares janë pjesë e Boluspor në divizionin e dytë të futbollit turk, ekip ku luan edhe Dejvi Bregu (në stol sot) e Gentian Selmani (i dëmtuar).

1-1 përfundoi ndeshja Boluspor-Bursaspor. Afrikani Kasongo kaloi vendasit në avantazh në fundin e pjesës së parë pas një asisti të marrë nga Balaj. Sulmuesi shkodran u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 35-të.

Balaj mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 54-t, duke lënë ekipin e tij me dhjetë lojtarë. Bursaspor përfitoi nga superioriteti numerik dhe gjeti golin e barazimit katër minuta më vonë.

Në minutën e 66-të u ndëshkua edhe Roshi me të kuq. Anësori i djathtë mori dy kartonë të verdhë brenda një minute, për faull dhe protestë kundër arbitrit.

Boluspor me nëntë lojtarë, por në fund ia doli të evitojë humbjen edhe pse me dy lojtarë më pak.