Kritikat kanë qenë të shumta teksa ish-marinsi britanik, i cili prej kohësh kishte nisur një fushatë për t’u larguar nga Afganistani, ja doli të shpëtonte 200 kafshët e tij, por la stafin mbrapa.

Një çarter privat i financuar nga donacionet e mbledhura javët e fundit në rrjete sociale, solli Paul Farthing dhe kafshët e tij në aeroportin Heathrow në Londër, duke mbyllur sagën e gjatë që ndau Britaninë dhe ngiti pyetje të vështira rreth vlerës së jetës së humanëve mbi atë të kafshëve.

Farthing, i cili kishte hapur strehën për kafshët në Kabul, ‘Nowzad’ pas shërbimit në Ushtrinë Britanike në Afganistan prej 15 vitesh, e kishte të mundur prej kohësh të evakuohet, por ai nuk pranonte të ikte pa kafshët e tij.

Shumë e mbështetën, përfshi personalitete të njohura por shumë të tjerë e kritikuan iniciativën e tij, duke e quajtur shteruese si ndaj kohës por edhe energjisë së grupeve që po rrezikojnë jetët e tyre për të shpëtuar sa më tepër afganë dhe të huaj që po mundohen t’i ikin regjimit taleban.

‘Çfarë do të thoshit nëse unë nis një ambulancë për të shpëtuar qenin tim në vend të nënës tënde?’ u shpreh një ligjbërës i partisë konservatore, Tom Tugendhat, i cili gjithashtu ka shërbyer për Ushtrinë Britanike, në Afganistan.

‘Ne sapo përdorëm s’di se sa trupa për të shpëtuar 200 qenë. Ndërkohë, familja e përkthyesit tim me siguri do të vritet,’ shtoi Tugendhat për radio stacionin LBC.

Farthing dhe mbështetësit e tij u kundërpërgjigjën duke thënë se ata nuk i zunë vendin askujt dhe as nuk shteruan resurset por zyrtarë të ndryshëm të qeverisë britanike nuk e kanë kursyer zemërimin e tyre.

Sidoqoftë, Farthing ka shtuar se rojet talebane në aeroport nuk e lejuan stafin e tij të hynte edhe pse kishin dokumentacionet e duhura dhe se ai do të vazhdonte të bënte maksimumin për t’i evakuuar ata nga Kabuli.