Sapo ditët e para të nëntorit mbërrijnë, gjëja e parë që na shkon në mend është vendosja e pemës së Vitit të Ri. Ndonëse dita zyrtare kur zakonisht dritat ndizen është 6 dhjetor, ne me zor presim ta zbukurojmë e ta nisim periudhën e festave pak më herët.
Kështu ka ndodhur edhe këtë vit ku personazhet e njohur kanë treguar kërkesat e fëmijëve për ta përgatitur pemën gjatë ditëve të nëntorit.
E para që e ndau këtë moment ishte blogerja Chiara Ferragni, e cila publikoi pemën gjigande plot drita dhe gjithë shtëpinë e zbukuruar me aksesorë të ndryshëm.
Chiara madje tregoi se duke qenë se të gjithë po kalojmë shumë kohë në shtëpi, pse mos ta nismin më herët periudhën e Krishtlingjeve? Një pyetje që me siguri i ka gëzuar të gjithë ndjekësit e blogeres.

Duket se kjo traditë e re po ndiqet edhe nga vipat shqiptarë.

Edhe Arbana Osmani ndau pak orë më parë një video ku djali, Joni shfaqej i mërzitur pasi dëshironte që ta vinin pemën që tani. Kaq mjaftoi që moderatorja të pyeste ndjekësit nëse duhet t’ia plotësonte dëshirën Jonit dhe shumica e përgjigjeve ishin Po.

Sara Karaj ndau disa pamje të pemës së Vitit të Ri të Chiara Ferragnit shoqëruar me dëshirën e saj të madhe për t’i nisur që tani festat.
“Ah moj Chiara që kisha në plan të blija gjërat këtë fundjavë”, shkroi Sara krah postimit në ‘Inststory’.

Me siguri edhe ndjekësit e personazheve të njohur gëzojnë të njëjtën dëshirë për t’i ndezur dritat më herët këtë fundvit. Ndonëse ky Vit i Ri nuk do të jetë si të tjerët, e nuk karakterizohet si çdo herë tjetër nga bashkimi shumë njerëzve pranë tryezës për shkak të pandemisë ‘Covid-19’, dritat e ndezura dhe pema e zbukuruar do të sjellin shumë gëzim në çdo shtëpi ku njerëzit do të festojnë me shpresën se viti i ardhshëm do të jetë më i mirë se ky që po lëmë pas. Edhe Tirana ka nisur të ndriçojë rrugët dhe ne mezi po presim të ndizet shpirti i festave.