Shërbimi shëndetësor në fshatrat e Dropullit ka probleme serioze të lidhura së pari me mungesën e godinave që dikur përfaqësonin qendrat.
Infermierët të cilët kryejnë shërbimin janë pothuaj të gjithë shëtitës shtëpi më shtëpi sipas nevojave. Ata nuk kanë një mjedis pune dhe ndihmën e shpejtë e mbajnë gjithnjë me vete.
Në fshatin Haskovë jetojnë aktualisht vetëm 50 të moshuar. Ata thonë se për nevojat e përditshme telefonojnë infermieren ndërsa për emergjenca duhet të thërrasin ambulancën ose t’i drejtohen Greqisë.Banorët kanë kërkuar që bashkë me qendrën shëndetësore të rinovohet disi edhe qendra e fshatit që prej 30 vitesh vetëm ka degraduar.
“Na duhen vizita ilaçe. Me 100 mijë lekë që e kemi pensionin në Shqipëri nuk bëjmë dot gjë. Kur na duhet na marrin fëmijët e na çojnë tek doktori në Greqi”, tha banorja.
Godina që dikur ishte qendër shëndetësore kopsht e çerdhe në fshatin Haskovë sot është mbuluar nga bimësia.
Banorët kërkojnë rikthimin e saj në funksion për të përballuar nevojat e përditshme për të matur tensionin, për injeksione apo emergjenca rutinë, kjo edhe për shkak të specifikës së zonës ku gati 90% e popullsisë është e moshuar.
Top Channel