Për Eduart Kaprin, ish kryebashkiakun që SPAK mori të pandehur për abuzim me tenderat dhe shpërdorim detyre, vetë institucioni i akuzës më parë kish kërkuar pushimin e kësaj çështje.
Në një dokument që Fax News ka siguruar, mësohet se Prokuroria e Posaçme kisht çuar çështjen për gjykim, por GJKKO urdhëroi SPAK të ngrejë akuza ndaj tij dhe zyrtarëve të tjerë.
Përfundimi i hetimeve dhe dërgimi në gjyq i ish kryebashkiakut të Pogradecit Eduart Karpi, u pa si një tjetër goditje e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë. Por, për këtë çështje vetë Prokuroria e Posaçme kish kërkuar më herët pushimin e çështjes.
Sipas një dokumenti që Fax News ka siguruar, dokument i cili mban datën 11 maj të këtij viti, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar GJKKO-së, me një kërkesë për pushim hetimesh, por togat e zeza kanë vendosur ta rrëzojnë kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve. Gjyqtarja Anti Korrupsion Flora Hajredinaj, i ka kërkuar kthimin e akteve prokurorit duke kërkuar që për kryebashkiakun e Pogradecit dhe zyrtarët e tjerë të marrë të pandehur të ngrihet akuza e “shpërdorimit të detyrës dhe “abuzimit në tenderat publikë”.
Pas kthimit të akteve nga Gjykata, SPAK 2 muaj më vonë ngriti akuzat dhe këtë të mërkurë dërgoi dosjen për gjykim. Referuar kërkesës për gjykim për Kaprin dhe pesë punonjës të tjerë të bashkisë u ngritën dy akuza.
Më konkretisht ato akuzohen për një tender për blerjen e druve dhe pengimi i zhvillimit të procesit zgjedhor më 30 qershor. Avdulla Cano, ish-Zv.Kryetar i Bashkisë Pogradec, Nexhmi Torra, ish-koordinator i Njësive Administrative dhe Enkeleida Kllomollari, ish-Drejtoreshë e Qendrës Arsimore akuzohen për abuzim me tendera.
Ndërkaq, Gurali Blaceri dhe Safet Blaceri, të dy ish-punëtorë mirëmbajtës në Drejtorinë e Qendrës Arsimore akuzohen se kanë vënë dryna me çelës në rrethin e jashtëm në tre shkollave dhe një kopshti, institucione të parashikuara për zhvillimin e zgjedhjeve.