Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 21-vjeçar i shpallur në kërkim për dy plagosje me armë zjarri në 2018 dhe 2020. Gjatë kontrollit fizik, të riut iu gjet një armë zjarri pistoletë, 5 fishekë dhe 4 aparate celulare.
“Në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative, rreth orës 01:30 të ditës së sotme, në lagjen nr. 13, te “Shkëmbi Kavajës”, kanë bërë të mundur finalizimin e operacionit policor të koduar “Shkëmbi i Kavajës”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 21 vjeç, banues në Durrës” njoftoi policia.
Ndaj shtetasit Aleksandër Mehmetaj janë caktuar 2 urdhërarreste për 2 ngjarje të ndodhura më parë, konkretisht:
– Për veprat penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”, pasi më datë 02.07.2018, në Durrës, ka plagosur me armë zjarri shtetasin B. G, gjatë një përpjekje për ti dalë zot shokut të tij, i cili ishte përfshirë në një sherr në ambiente shkolle.
– Për veprat penale “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”, pasi më 20 shtator të 2020, në zonën e Astirit në Tiranë, ka plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasin Spartak Beqaraj.
Ky i fundit i kërkonte të riut të mos konsumonte drogë në sheshpushimin e pallatit ku banonin. Por takimi mes tyre në lokal nuk ishte aspak miqësor.
I riu i kërkoi Beqarajt të dilnin jashtë dhe pasi fillimisht u rrahën, Aleksandër Mehmetaj nxori armën dhe e plagosi fqinjin në këmbë. Policia e identifikoi përmes pamjeve të kamerave të sigurisë pranë vendit të ngjarjes.
Gjithashtu, për 21 vjeçarin ishte caktuar dhe urdhër-ndalimi, pasi ishte në kërkim për veprat penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja nga urdhrit të punonjësit të Policisë”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.