Atmosfera e Krishtlindjeve ka pushtuar të gjithë vendin. Sheshi ‘Skënderbej’ ka mbledhur rreth vetes qindra qytetarë, disa duke bërë foto pranë pemës, të tjerët të konsumojnë një pije në shoqëri të mirë, e të tjerë në pritje të koncertit që do të mbahet në qendër.

Tërmeti, pandemia dhe lufta, kanë ndikuar në jetën e gjithsecilit, e për pasojë në këtë vigjilje të Krishtlindjeve, urimet janë për një vit sa më të mbarë. Për gazetaren e Report Tv, Enxhi Musaj, qytetarët shprehen se atmosfera është shumë e mirë.

“Uroj gjithë besimtarët gëzuar Krishtlindjen. Gëzuar”

Mirëpo në ndryshim nga Vlora, Korça dhe Pogradeci, vijon të jetë qytetet më të preferuara të qytetarëve. Siç mund të shihet në pamje, sot është parë një trafik shumë i rënduar. Radha është kilometrike në autostradën Tiranë-Elbasan. 
Në prag të Krishtlindjes, Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult, Angelo Massafra bën thirrje që të gjithë të bashkohen për të krijuar kulturë paqeje. Sipas tij, lufta në Ukrainë është duke prishur fytyrën e bukur të Evropës dhe duke lënë pasoja në ekonominë botërore, përfshi edhe Shqipërinë. Viti i vështirë financiar reflektohet dhe te blerjet, teksa tregjet agro-ushqimore janë thuajse të boshatisura.