Eksperti i ekonomisë Dritan Shano ka dhënë një intervistë,ku ka folur për situatën ekonomike të vendit pas pandemisë së ‘Covid-19’.

Në analizën që eksperti bëri, tha se ekonomia në vendin tonë nuk ndryshoi siç ndodhi në vendet e tjera, por vetëm solli një ulje të vendeve të punës dhe rritje të varfërisë.

Më tej ai tha se Shqipëria nuk ka bërë investime të mjaftueshme në kërkimet shkencore dhe pasojat e kësaj politike të gabuar do të vërehen gjatë kohëve në vazhdim, pasi do të ketë probleme të hasura në kapitalin human, fizik dhe përsa i përket ideve.

“Në vende tjera, pandemia e ka ndryshuar ekonominë. Në Shqipëri nuk më rezulton që të ketë ndryshuar struktura e ekonomisë, përveçse ka krijuar një humbje të vendeve të punës, një rritje të varfërisë.

Këto raportohen nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë. Madje jo më larg se dje po lexoja sesi një bllok i madh i ndërmarrjeve të huaja dhe kombëtare kanë ulur qepenat. Pandemia ka sjellë edhe pasiguri të mëdha për të ardhmen lidhur me financat publike, me borxhin publik, detyrimet e prapambetura dhe kapacitetin e ekonomisë për të prodhuar mjaftueshëm të ardhura në mënyrë që qeveria të jetë në gjendje të zbatojë ato detyrime që ka marrë.

Asgjë nuk ka ndryshuar, madje kur të mbarojë kjo pjesa e pandemisë, ne do vërejmë që jemi një vend i cili ka probleme të mëdha me kapitalin human, me kapitalin fizik dhe me idetë, që janë 3 treguesit kryesor të rritjes ekonomike.

Ne jemi një vend që asetin kryesor që ka është ai gjeografik, pra ne jemi një vend infrastrukturor dhe këtë aspekt duhet t’i aofrojmë botës. Infrastrukturën e cila vazhdon sot e kësaj dite të mungojë dhe nga pikëpamja e ideve, më lejo të them që vijmë tek edukimi, ne jemi ndër vendet e fundit në botë përsa i përket kërkimeve për zhvillim shkencor.

Pra progresi ëshë një ngjarje e vullnetshme dhe ne nuk e kemi investuar këtë gjë. Nga ana tjetër , në ëktë vend, karriera në treg bëhet për shkak të aksesit tek qeveria më shumë sesa për shkak të ideve apo konkurrencës së lirë dhe të ndershme Kjo shikohet letësisht tek firmat monopol që ne kemi në Shqipëri.”