Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu njoftoi sot vendimet e qeverisë të marra për përballimin e krizës për muajt në vijim.

Ministrja lajmëroi dyfishimin e ndihmës ekonomike për nënat kryefamiljare dhe të moshuarit mbi 65 vjeç pa një pension pleqërie. Ndërsa për familjet me tre fëmijë, rritja do të fillojë në janar.

“Nga data 1 tetor dyfishojmë masën e pagesës për ndihmën ekonomike për gratë kryefamiljare që kanë dy fëmijë. 5700 gra kryefamiljare që do të përfitojnë dyfishimin e pagesës ekonomike. Për familjet me më shumë tre fëmijë rritja do të fillojë nga 1 janari.

Dyfishojmë pagesën e ndihmës ekonomike për të moshuarit që janë pa pension pleqërie, më shumë se 65 vjeç. Janë më shumë se 5300 të moshuar që do të përfitojnë. Mbi 64 mijë familje që do të përfitojnë nga paketa e ndihmës ekonomike.

Është një mbështetje që do të vijojë të jepet për një kohë të gjatë,” tha ajo.

Gjithashtu ministrja lajmëroi se për personat me aftësi të kufizuar do të rritet masa e kompesimit të energjisë elektrike.

“Pas indeksimit me 7.5% për mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar, një tjetër vendim është marrë nga qeveria për energjinë elektrike për personat të cilat kanë status të aftësisë së kufizuar, të cilëve u rritet masa e mbështetjes për kompensimin e energjisë elektrike.

Ata që e kanë këtë masë mbështetje nga statusi shkon nga 2000 lekë të reja në 3000 lekë të reja.

Ndërsa përsa i përket personave të cilët kanë status të verbër të kategorisë së dytë nga 1,400 lekë të reja që është sot, shkon në 2,400 lekë të reja,” tha Manastirliu.