ITALI- Shqipëria e së ardhmes do të jetë si Italia! Kështu u shpreh kryeministri i vendit, Edi Rama në një intervistë të dhënë për median italiane “La7”.
“Kur më pyesin si do të jetë Shqipëria e së ardhmes, u them të shikojnë Italinë. Kjo është Shqipëria e së ardhmes”, tha Rama gazetarit Federico Marconi.
Teksa u pyet për kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Rama u shpreh se kushdo që njeh atë nuk mund të mos ketë një marrëdhënie të mirë me të.
Kryeministri shqiptar e përshkroi homologen italiane si “një person shumë real dhe i drejtpërdrejtë”.
“Kushdo që e njeh Giorgia Melonin nuk mund të mos ketë një marrëdhënie të mirë me të, ajo është një person shumë real dhe i drejtpërdrejtë”, theksoi Rama.
Gjatë intervistës në mediat italiane, Rama u ndal edhe tek një çështje tjetër shumë e diskutuar siç është marrëveshja me Italinë për emigrantë. Ai sqaroi se Shqipëria nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për kampin e refugjatëve, i cili do të ngrihet në Gjadër të Lezhës, duke theksuar se e gjithë kostoja e projektit është e qeverisë së Italisë.
Të enjten, kryeministri shqiptar në një intervistë për Euronews u shpreh se marrëveshja për emigrantët është “ekskluzive vetëm më Italinë” dhe se vendi ynë nuk do pranojë kërkesa nga vende të tjera.
Sipas tij, Italia dhe Shqipëria kanë një “dashuri të pakushtëzuar” si dy shtete fqinje/ abcnews.al