Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur ditën e sotme se situata e zjarrit në Ishullin e Sazanit mbetet kritike, dhe se forcave zjarrfikëse dhe ushtarake që po operojnë në terren u rrezikohet jeta nga tymi i madh që është përhapur.

Gjatë ditës së sotme Kryeministri Rama ka publikuar deklaratën e Niko Peleshit, i cili një ditë më parë theksonte se do ndjekë këshillat e ekspertëve për planin e masave që do përdorë për të shuar zjarret në Sazan.  “I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanit është izolimi i vatrave nga toka, duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth çdo vatre… “, shkruan kryeministri në Facebook.

Ndërkohë që Rama në mesazhin e tij ka thumbuar dhe mediat teksa  thekson se: “kemi nevojë edhe për vullnetarizëm dhe angazhim nga të gjithë për të përballuar së bashku situatat e emergjencave, në vend që t’i ndezim akoma më shumë nga tastiera”.

Pas këtij postimi dhe pamjeve të xhiros dhe jo shuarjes së zjarrit nga në Sazan, ministria e Mbrojtjes ka pranuar se ka helikopterë për operacionet e neutralizimit të vatrave të zjarrit, por keta helikopterë janë jashtë vendit për të kryer serivisin.

Edhe pse janë përpjekur që ta shmangin faktin se vendi ynë ka mbetur pa helikopterë për ndërhyrje të tilla, por pranon se disponon vetë helikopterë të vegjël.

Forcat e Armatosura disponojnë dhe kanë në gatishmëri mjetet e nevojshme fluturuese, të parashikuara për përdorim në përmbushje të detyrave e operacioneve që duhet të kryejnë edhe në raste emergjencash si zjarret.  FA ka në gatishmëri helikopterë të lehtë, por që në specifikat e përdorimit të tyre kanë kufizime për të marrë pjesë dhe për të përmbushur detyra në raste të llojeve të ndryshme të operacioneve të emergjencave.

Forca Ajrore ka helikopterë të kompletuar dhe të pajisur me mjete për operacione për mbështetje të emergjencave mjekësore si dhe edhe helikopterë ushtarakë të mesëm modernë të gjeneratës së katërt. Si rregull ata i nënshtrohen kërkesave rigoroze të mirëmbajtjes dhe riparimit, bazuar mbi periudha përdorimi dhe kohë fluturimi. Në këtë proces, një pjesë e helikopterëve ushtarakë Cougar, të cilët prej një kohe të gjatë kanë qenë pjesëmarrës aktivë në operacione të shumta të emergjencave në kohë përmbytjesh, zjarresh, tërmeti, kushteve ekstreme të motit, në ndihmë të komunitetit, pjesëmarrjes në stërvitjet e ndryshme në Forcat e Armatosura, si dhe atyre me NATO-n të zhvilluara në vendin tonë, kanë kaluar në procesin e mirëmbajtjes dhe vënies në gatishmëri, në nivelin e tretë të mirëmbajtjes, proces që bëhet vetëm nga uzina jashtë vendit, të specifikuara për këtë nivel modern pajisjesh”, thekson Ministria e Mbrojtjes.

Në rast se ka rrezik për jetën, atëherë ministria e Mbrojtjes thekson se i drejtohet “Mekanizmin e Bashkimit Europian të Mbrojtjes Civile, Emergency Response Coordination Centre (ERÇ)”

Po ashtu rastin e Shqipëria, Ministria e Mbrojtjes e justifikon dhe me planet që përdorin vendet fqinje, të cilave ministria e Mbrojtjes u “qan hallin” se dhe ato s’kanë kapacitete të brendshme për rastet e emergjencave.

Edhe vendet fqinje përdorin këtë mekanizëm për të përballuar nevojat e tyre ne raste emergjencash. Siç e kemi thënë edhe më parë kapacitetet tona të brendshme janë të limituara. Ndërkohë edhe vende si Turqia, Greqia apo Italia mbështeten te mekanizmi evropian, sepse emergjencat specifike natyrore nuk përballohen dot vetëm me kapacitete të brendshme”, thekson Ministria e Mbrojtjes teksa tenton të shuaj kritikat nga “tastiera”.

REAGIMI I MINISTRISE SE MBROJTJES

Transparencë mbi gatishmërinë e mjeteve ajrore

Forcat e Armatosura disponojnë dhe kanë në gatishmëri mjetet e nevojshme fluturuese, të parashikuara për përdorim në përmbushje të detyrave e operacioneve që duhet të kryejnë edhe në raste emergjencash si zjarret.

FA ka në gatishmëri helikopterë të lehtë, por që në specifikat e përdorimit të tyre kanë kufizime për të marrë pjesë dhe për të përmbushur detyra në raste të llojeve të ndryshme të operacioneve të emergjencave.

Forca Ajrore ka helikopterë të kompletuar dhe të pajisur me mjete për operacione për mbështetje të emergjencave mjekësore si dhe edhe helikopterë ushtarakë të mesëm modernë të gjeneratës së katërt.

Si rregull ata i nënshtrohen kërkesave rigoroze të mirëmbajtjes dhe riparimit, bazuar mbi periudha përdorimi dhe kohë fluturimi. Në këtë proces, një pjesë e helikopterëve ushtarakë Cougar, të cilët prej një kohe të gjatë kanë qenë pjesëmarrës aktivë në operacione të shumta të emergjencave në kohë përmbytjesh, zjarresh, tërmeti, kushteve ekstreme të motit, në ndihmë të komunitetit, pjesëmarrjes në stërvitjet e ndryshme në Forcat e Armatosura, si dhe atyre me NATO-n të zhvilluara në vendin tonë, kanë kaluar në procesin e mirëmbajtjes dhe vënies në gatishmëri, në nivelin e tretë të mirëmbajtjes, proces që bëhet vetëm nga uzina jashtë vendit, të specifikuara për këtë nivel modern pajisjesh.

Ndërsa një pjesë e helikopterëve Cugar të riparuar përmes praktikës së re të bashkëpunimit me Agjencinë e Prokurimit të NATO (NSPA) ndodhen në Shqipëri.

Ndërkohë për çdo situatë dhe nevojë reale kur vihet në rrezik jeta e njerëzve apo banesat Shqipëria bashkëpunon me Mekanizmin e Bashkimit Europian të Mbrojtjes Civile, Emergency Response Coordination Centre (ERÇ) dhe në bashkëpunim me partnerët e saj është në gjendje të garantojë sigurinë.

Edhe vendet fqinje përdorin këtë mekanizëm për të përballuar nevojat e tyre ne raste emergjencash. Siç e kemi thënë edhe më parë kapacitetet tona të brendshme janë të limituara. Ndërkohë edhe vende si Turqia, Greqia apo Italia mbështeten te mekanizmi evropian, sepse emergjencat specifike natyrore nuk përballohen dot vetëm me kapacitete të brendshme.

Në vëmendje të medias kujtojmë se tabela e organizimit dhe pajisje të FA, numrave dhe dokumenteve që lidhen me të konsiderohet informacion i klasifikuar konfidencial.