Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kanë inspektuar Spitalin Rajonal të Elbasanit, për të parë nga afër investimin që ka nisur në Pediatri si dhe procesin e vaksinimit për stafet mjekësore.

Kemi filluar procesin e vaksinimit në Elbasan ku sot vaksinohet 80 mjekë dhe infermierë dhe ky do të jetë një pol vaksinimi që do t’i shërbejë edhe spitaleve bashkiake të Prrenjasit, Librazhdit, spitalet e qarkut Elbasan”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se vaksinimi do të vijojë të shtrihet në territor, duke përfshirë edhe mjekët e familjes.

“Vijojmë me vaksinimin në të gjitha qendrat e përqëndruara të vaksinimit në territor dhe gjithashtu nga java tjetër fillojmë me vaksinimin sipas protokolleve dhe prioriteteve, të mjekëve të familjes”, tha Manastirliu.

Duke shprehur vleresim për punën e bluzave të bardha, Kryeministri Edi Rama deklaroi: “Ndaj me ju keqardhjen e madhe që disa raste abuzuesish dhe batakçinjsh ju bëjnë pis padrejtësisht të gjithëve, por nuk  e heqin dot vlerën e jashtëzakonshme që ju keni treguar në këtë fazë dhe realisht sakrificën e jashtëzakonshme që po bëni, kështu që kurajo, rezistencë, durim edhe angazhim sepse edhe kjo pjesë e këtyre batakçinjëve do të rregullohet hap pas hapi, kërkon kohën e vet” theksoi Kryeministri.

Gjatë inspektimit në Pediatri, ku sapo ka nisur investimi i qeverisë, Manastirliu u shpreh se ky investim përmbyll investimet transformuese në
spitalin e Elbasanit.

“Këtu nuk ishte vënë dorë prej shumë vitesh dhe ky investim përfundon investimet që kemi nisur në Elbasan. Pediatria e re do të ketë 75 shtretër, 60 prej të cilëve do të kenë furnizim me linjën e oksigjenit, pra do të jetë një spital i standarteve bashkohore dhe miqësor me fëmijët”, tha Manastirliu.

Pas përfundimit të Pediatrisë së Durrësit, investimit madhor për rindërtimin dhe zgjerimin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, rikonstruksioni i Pediatrisë së Elbasanit është një tjetër investim për modernizimin e shërbimit shëndetësor për fëmijët, afër vendbanimit.

Top Channel