Ka përfunduar mbledhja e përjavshme e qeverisë, në fundin e të cilës 4 ministra kanë zbuluar vendimet që janë marrë sot.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku ka njoftuar se do të nisë refomra në sektorin e ujësjellësave, dhe qeveria do të ketë një tur inspektimesh në të gjithë vendin.
Nga ana tjetër ministri i brendshëm Bledi Çuçi, tha se është miratuar plani antitrafik, për personat e trafikuar, dhe rehabilitimin e këtyre viktimave.
Ministrja për Rininë Bora Muzhaqi foli në lidhje me krijimin e rrjetit të ekselentëve, të cilat do të mbështeten dhe te të rinjtë që iu bashkuan nismës ‘Gati për Shqipërinë’.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi nga ana e tij ka thënë se janë miratuar vendime që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe përkrahjen e vullnetarizmit.
Belinda Balluku: Kemi nisur një reformë të thellë të sektorit që do të përfundojë për 12 muaj për startimin e një menaxhimi të ri. 900 mln euro janë investuar në 3 vitet e fundit në ujësjellësa, por ajo që vërejmë nuk janë indikatorët që në prisnim pas kësaj shume investimesh dhe pune intensive. Në përputhje me autonominë vendore, por duke pasur parasysh që shërbimet cilësore janë prioritet për qeverinë ne do të nisim reformën për sektorin e ujit. Janë diskutuar disa mundësi, nga agregimi i disa ndërmarrjeve dhe bashkë menaxhimi mes pushtetit vendor dhe qeverisë. Do të nisim një tur me qeverinë.
Bora Muzhaqi: Besoj e keni ndjekur çfarë ka ndodhur me nismën gati për shqipërinë, ne kemi zhvilluar një sërë intervistash me të rinj, që kanë shprehur dëshirën për të punuar në Shqipëri. Pjesa e parë do të jenë studentët ekselentë, që do të punësohen me kontrata 1 vjeçare nëpër institucione, përfshirë dhe ministritë. Do të krijojmë qendrat e ekselencës.
Bledi Çuçi: Sot miratuam planin e veprimit antitrafik të personave, që është një fenomen shumë kompleks, që nga parandalimi i fenomenit, deri në rehabilitimin e viktimave. Është përgatitur nga shumë institucione shqiptare në ndihmë me agjensitë e komeve të bashkuara.
Niko Peleshi: Përditësimi i listës së artikujve me dy qëllime, është në kuadër të përafrimir me legjislacionin e BE, dhe në mbrojtje të sigurisë kombëtare. Projektvendimi i dytë synon të nxisë vullnetarizmin.