Jo vetëm bregdeti por edhe juglindja e vendit po vizitohet nga turistë të shumtë të huajnë këtë prag sezoni. Në Korcë grupet me turistë kryesisht gjermanë nuk është e vështirë t’i konstatosh në qytet.

Katedralja, muzetë, baret dhe restorantet si dhe fshatrat turistikë si Dardha e Voskopoja janë ndër më të preferuarit nga grupe te turistëve.

Shumica e tyre e vizitojnë për herë të parë vendin tonë dhe përshtypjet janë ndër më të mirat dhe që lindin dëshirën për t’u rikthyer.

“Ne ishim në Pogradec, sot jemi në Korçë, erdhëm me autobus për të parë qytetin, u futëm në katedralja. Pamje fantastike, gjithë qyteti është i qetë, Shqipëria ka një klimë fantastike, ushqimet bio dhe të shijshme. Kur të shkoj në Gjermani do të flas mirë për Shqipërinë dhe patjetër që e mendoj të rikthehem,” shprehet një prej tyre.

“Ne kemi  disa ditë ne Shqipëri dhe mund të them me plot gojë se qyteti me i bukur është Korça. Çmimet janë shumë të lira dhe do rikthehem padyshim,” thotë një tjetër turiste.

Pjesa më e madhe e turistëve janë të interesuar për paketat disaditore në juglindje të vendit, ku përfshihet qyteti liqenor i Pogradecit, Korça, Parku Kombëtar i Prespës, Voskopoja, Dardha dhe Kolonja.