Serbia ndërpreu lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës.

Me një dokument të tillë, që është cilësuar si zëvendësim për letërnjoftimin, kosovarët janë pajisur me të hyrë në territorin e Serbisë, tash e 11 vjet.

Dragan Mirosavleviq, profesor në Universitetin e Mitrovicës, që më 1 shtator hyri në Kosovë përmes pikëkalimit në Merdarë, tha për Radion Evropa e Lirë, se në kufi gjithçka shkoi mirë.

Ai nuk komentoi marrëveshjen, duke thënë se nuk shikon shumë lajme.

Në Merdarë, sipas ekipit të Radios Evropa e Lirë, më shumë po vërehen qytetarë serbë që po kalojnë kufirin në të dyja anët.

Në Jarinjë, ndërkaq gjithçka është duke shkuar mirë sa i përket kalimit të kufirit, dhe situata është e qetë.

Heqjen e kësaj mase e konfirmoi në orët e para të 1 shtatorit ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, nga pika kufitare në Bërnjak.

“Mund të konfirmoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe [nga pikat kufitare] në Merdare, në Dheun e Bardhë dhe në Muçibabë. Në Jarinjë, ende nuk e kemi ndonjë veturë, e cila ka kaluar, por realisht mund të konkludojmë se autoritetet e Serbisë e kanë ndërprerë lëshimin e fletëve për hyrje/dalje për shtetasit tanë”, tha Sveçla.

“Ky është nje lehtësim i madh për shtetasit tanë, të cilët udhëtojnë për apo nëpër Serbi”, shtoi ai.

Marrëveshja për heqjen e këtij dokumenti u arrit fundjavën e kaluar.

Paraprakisht ka qenë e paraparë që edhe Kosova të nisë aplikimin e së njëjtës masë për shtetasit e Serbisë, nga 1 shtatori.

Një vendim i tillë është zbatuar shkurtimisht nga 1

gushti, por, për të njëjtat arsye, është shtyrë për 30 ditë.

Sveçla tha se shpreson se edhe “çështja e kalimit nga targat ilegale të Serbisë në targa të Kosovës” të kalojë pa probleme, sikurse ajo e dokumenteve.

Një ditë para se të hiqte kërkesën për dokumente për hyrje/dalje, Serbia vendosi disa njoftime në vendkalimet me Kosovën, ku thuhej se mundësimi i kalimit të kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, bazuar në Marrëveshjen për lëvizje të lirë.

Këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2011 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por se deri më tash nuk ka gjetur zbatimin e duhur. /REL