Pas Italisë dhe Serbisë, vaksinat kundër Covid-19 nga kompania Pfizer/Biontech kanë mbërritur edhe në Greqi. Nën masa të rrepta sigurie, në vendin fqinj janë dorëzuar dy kuti që përmbajnë 9,750 doza vaksine të cilat u shkarkuan dhe po ruhen në një depo farmaceutike.

Autoritetet thanë se deri në fund të Dhjetorit, Greqia pritet të marrë rreth 83,850 vaksina, teksa deri në fund të Marsit përllogariten mbi 1 milion e 200 vaksina. Injektimet e para antiCovid do të zhvillohen të dielën në 5 spitale të Athinës dhe më pas në Selanik. 

Ndërkohë që disa vende të BE-së kanë filluar të vaksinojnë njerëzit kundër virusit. Autoritetet shëndetësore në Gjermaninë verilindore thanë se nuk mund të prisnin edhe një ditë tjetër, ndaj ato filluan të imunizojnë banorët e shtëpive të të moshuarve.

Në Hungari, agjencia shtetërore e lajmeve tha se marrësi i parë i vaksinës ishte një mjek. Autoritetet në Sllovaki gjithashtu thanë se edhe ata kishin filluar vaksinimin.

Ndërkohë që Franca, Italia dhe Spanja janë midis kombeve ku vaksinimet pritet të fillojnë të Dielën. Kreu i Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, publikoi një video në Twitter duke festuar shpërndarjen e vaksinave, duke e quajtur atë një “moment prekës të unitetit”.