Sadio Mane është në Mynih. Rajan Gravenbersh dhe Nuser Mazraui kanë veshur gjithashtu fanellën e kampionëve të Gjermanisë këtë verë.
Dhe “Bild” raporton se merkatoja e Bajernit të Mynihut nuk ka përfunduar këtu dhe mund t’i shtohet edhe një tjetër kampion në mbrojtje.
Trajneri Julian Nagelsman është në kërkim të një lideri në prapavijë, pas largimit të David Alabës verën e shkuar drejt Realit dhe sezonin e shkuar askush nuk e mori dot këtë rol.
Nagelsman është i pakënaqur dhe prandaj, sipas informacioneve që vijnë nga të dyja vendet, Gjermania dhe Italia, drejtori sportiv, Hasan Salihamixhiç, ka kontaktuar me Juventusin për të marrë informacion për transferimin e Matajs de Ligtit në Mynih.
Holandezi, i cili ka një kontratë deri në vitin 2024 me torinezët, nuk është i kënaqur te bardhezinjtë dhe sipas gazetarit të “Gazzetta dello Sport”, Alfredo Pedula, Bajerni ka marrë informacione për 22-vjeçarin.
Megjithatë, “Bild” thotë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Me fjalë të tjera, drejtori sportiv i Bajernit ka dashur informacion vetëm për situatën e De Ligtit.
Dhe pavarësisht se ai preferon të largohet nga bardhezinjtë dhe kërkon një sfidë të re, transferimi i tij në Mynih në këtë moment është shumë i vështirë edhe për shkak të kostove të tij.
De Ligt ka një klauzolë prishjeje të kontratës prej 120 milionë eurosh dhe gjermanët nuk do ta paguanin kurrë, në radhë të parë sepse nuk munden dhe në të radhë të dytë sepse nuk do të donin.
Për shërbimet e yllit të kombëtares holandeze interesohet edhe Çelsi, edhe Mançester Siti.
Anglezët mund ta përballonin më lehtë ekonomikisht operacionin, ndërkohë që blutë e Londrës kanë bërë hapa konkretë këto javë. Ata i kanë ofruar Juventusit 90 milionë euro.