Dua Lipa e konsideroi performancën e saj në “Lollapalooza” si një moment historik në karrierën e saj. Plot 120 mijë persona kënduan dhe kërcyen me këngëtaren me origjinë shqiptare duke i falur asaj një nga mbrëmjet më të paharrueshme.

Në një reagim në rrjetet sociale, artistja me origjinë shqiptare shkruan se performanca e saj e parë në Festival ishte në 2016 dhe kishte shpresuar të rikthehej sërish. Dua shprehet krenare dhe e lumtur teksa shton se ka derdhur lot gëzimi.

“Nata e kaluar ishte një moment historik për mua në karrierën time dhe unë jam përpjekur të gjej fjalët gjatë gjithë mëngjesit.

Jam shumë mirënjohëse për çdo hap në këtë rrugëtim që më solli këtu në këtë moment – të jem në gjendje ta bëj këtë shfaqje për ju. Faleminderit të gjithëve që besojnë në mua mjaftueshëm për të më vendosur në këto skena. Unë nuk do ta harroj kurrë ‘Lollapaloozën’ time të parë në Çikago më 29 korrik 2016. Kisha këtë dëshirë të vazhdoja të kthehesha dhe të shihja turmën të rritet pak më shumë Ky është viti im i tretë në Lolla dhe performanca ime e 5-të këtu – nuk do të mund të kisha bërë asnjë nga këto pa grupin tim të jashtëzakonshëm, këngëtarët e mi, kërcimtarët dhe ekipin tim që japin zemrat e tyre natë pas nate. Jam e nderuar që mund të ndaj skenën me ju të gjithë dhe t’ju shikoj duke shkëlqyer. Unë jam shumë krenare dhe e lumtur, nuk mund të kërkoja diçka më të bukur. E mbushur me dashuri dhe mirënjohje. Faleminderit Chicago! Me lot gëzimi!”Dita e dytë e festivalit ikonik ‘Lollapalooza’ të Çikagos pati përzierjen perfekte të punk rock-ut dhe popit elektronik, falë Machine Gun Kelly dhe Dua Lipës. Dua e nisi performancën me këngën e saj hit “Physical” nga albumi i saj fitues i çmimit Grammy 2020 “Future Nostalgia”, i cili përmban disa hite të mëdha disko dhe pop elektronik.

E veshur me një jumpsuit me shkëlqim, ajo këndoi më pas “Love Again” dhe “Levitating” – të dyja këngët janë nga albumi i saj i vitit 2020.

Ajo më vonë performoi “Cold Heart” – dueti me Elton John. Dua Lipa mori një moment për të reflektuar mbi rrugëtimin e saj muzikor teksa kujtoi performancën e parë në skenën e vogël të ‘Lollapalooza’. Para se ta mbyllte natën me këngën e saj hit “Don’t start now”, këngëtarja u kërkoi fansave “të ngrihen për të drejtat e grave, të ngrihen kundër padrejtësisë racore, të ngrihen në mbrojtje të komunitetit LGBTQ dhe të ngrihen për njëri-tjetrin”.

‘Lollapalooza’ është një festival vjetor muzikor katër-ditor që mbahet në ‘Grant Park’ në Çikago. Fillimisht filloi si një ngjarje turne në 1991, por disa vite më vonë e bëri Chicagon vendndodhjen e përhershme për festivalin vjetor të muzikës. ‘Lollapalooza’ është një nga festivalet më të mëdha dhe më ikonike të muzikës në botë dhe një nga më jetëgjatët në Shtetet e Bashkuara./Panorama Plus