Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në një takim ku ishin të mbledhur deputetë të rinj dhe të vjetër të partisë Socialiste. Në përmbajtje të fjalës së tij, ai tha se tashmë kishin një përgjegjësi shumë të madhe pasi siguruan mandatin e tretë.

Ndër të tjera ai foli edhe për shkarkimin e presidentit Meta, të cilin e konsideroi si personazh grotesk që do të turpëronte çdo shqiptar, duke shtuar se shkarkimi i tij do të ndodhte sepse ishte ndëshkuar nga populli. Ajo çfarë ishte surprizuese, është fakti që kryeministri tha se lidhur me emërimin e presidentit të ardhshëm do të konsultoheshin me partinë Demokratike.

“Ilir Meta do të shkarkohet nga detyra sepse është ndëshkuar nga populli shqiptar. Një personazh grotesk që turpëron çdo shqiptar. Dua të bëj të qartë se ky shkarkim nuk ka lidhje me asnjë objektiv tjetër përvecse ne jemi rreshtuar në krah të popullit shqiptar që nuk do t’a shohë më Ilir Metën.

Ne nuk do e kemi vendosur se kush do të jetë presidenti i ardhshëm por do të konsultohemi me PD për këtë pjesë”- tha Rama.

Më pas ai shtoi se do të mbaheshin të gjitha premtimet e dhëna duke filluar nga ngritja e rrogës minimale, deri në reformimin e administratës publike, duke spastruar të gjithë nëpunësit të cilët nuk u shërbejnë siç duhet qytetarëve.

“Ne do t”i mbajmë 1 për 1 zotimet tona ,duke nisur që nga zerimi i taksës për pagën që prej janarit të vitit që vjen. Rritja e taksës minimale në 380 mijë lekë apo deri në 400 mijë lekë brenda mandatit të tretë.

Ndërtimi i porteve të reja, duke nisur me atë të Shëngjinit që shpresojmë të jetë gati në fund të ketij mandati. Përsa i përket digjitalizimit, ne kemi hedhur bazat për një shtet pa vonesa përsa i përket kësaj pjese. Ne do të vazhdojmë me sapstrimin e administratës me ata që janë turpi i shtetit, turpi jonë në raport me qytetarët. Këtë do të bëjmë me të gjithë administratën në të gjithë vendin.

Një mundësi e re do të hapet për çdo vajzë dhe çdo djalë që duan të jenë shërbëtorë në shërbimin publik. Në Shqipëri do të kenë mundësi të shërbejnë të gjithë shtetasit që duan të jenë shërbyes ndaj publikut, pa pasur nevojë të ketë njohësi me deputetë apo ministra”- shtoi kryeministri.