Ish-kryeministri Sali Berisha feston këtë të premte 77-vjetorin e lindjes dhe reperi i njohur Stresi me këtë rast ka blerë një tufë me trëndafila blu për t’ia dhuruar.

Në një video të publikuar në Instagram, ai shihet duke dalë nga një dyqan lulesh, ku ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve, madje dhe të kalimtarëve, ku nuk kanë munguar as fotot.

Në mbishkrimin e kësaj video, Stresi shkruan: Statistikat tregojnë që në muajin Tetor kanë lindur liderët më të mëdhenj të botës, gëzuar ditëlindjen Dr. Profesor Sali Berisha.

Ndërsa lideri historik i Partisë Demokratike përmes një postimi në Facebook thotë se kjo ditëlindje e gjen më të motivuar se kurrë dhe në një mision të ri, jetik dhe vendimtar për fatin e selisë.

“Sot 77 vjeç! Miq, sot jam 77 herë i lumtur sepse kjo ditëlindje më gjen: Më të motivuar se kurrë në mbrojtjen e të vërtetave që unë besoj dhe në një mision të ri, jetik dhe vendimtar për fatin e Partisë Demokratike dhe demokracisë në Shqipëri! Mirënjohje të pakufishme të Gjithëfuqishmit, familjes time, miqve dhe mbështetësve të mi në Shqipëri dhe kudo që janë, të cilët me besimin dhe mbështetjen e tyre bëjnë të mundur të përmbushim së bashku këtë mision! Lavdi Zotit!”, shkruante Berisha në Facebook.