Ka kaluar një vit qe kur ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë dhe ende nuk dihet një datë se kur do të nisë procesi gjyqësor ndaj tyre, për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Përkundër faktit se kanë kaluar gjithë këta muaj që nga arrestimi i tyre, Zyra e Prokurorit të Specializuar, deri më tani nuk ka arritur që të dorëzojë në gjykatë dosjen paraprake për këtë rast, e cila përmban përmbledhje të provave, që Prokurori i Specializuar synon t’i paraqesë në lidhje me kryerjen e veprës së pretenduar penale.

Një gjë të tillë, Zyra e Prokurorit të Specializuar është urdhëruar që ta bëjë deri më 17 dhjetor të këtij viti – afat ky i vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

I shqetësuar me procedim të ngadaltë të materialeve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar shprehet avokati kryesor i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.

Kehoe thotë se Prokuroria ka kërkuar vazhdimisht shtyrje të afateve për dorëzim të materialeve, duke dhënë arsyetime të ndryshme për vonesat, përfshirë arsyetimin për volumin e madh të dokumenteve, të dëshmive, të provave dhe të materialeve të tjera, si dhe mungesën e stafit për t’i proceduar ato.

“Është e vështirë të thuhet se sa materiale kemi pranuar, kur nuk e dimë edhe sa të tjera do të na vijnë”, thotë Kehoe.

Në muajin nëntor të vitit 2020, në paraqitjen e parë të Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit para Gjykatës në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se synon që gjykimi ndaj tyre të fillojë më së largu në verën e vitit 2021.

Gjatë fjalës së Prokurorisë është thënë se janë mbi 1,500 prova të ndryshme që duhet të administrohen, si dhe mbi 150 dëshmitarë.

Avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, thotë se vonesat në dorëzimin e materialeve nga ana e Prokurorisë, kanë të bëjnë me faktin se, sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuzë pa qenë e gatshme për këtë proces.

“Arsyet janë të ndryshme, por numër një është se ata [Zyra e Prokurorit të Specializuar] kanë ngritur aktakuzë përpara se të jenë gati. Klientët tanë janë në paraburgim që nga nëntori i vitit të kaluar, më shumë se një vit, dhe kur Prokuroria ka ngritur aktakuzën, ata kanë thënë se do të jenë gati për ta gjykuar këtë rast në pranverën e vitit 2021”, thotë Kehoe.

Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të duhej t’i ndante dokumentet sipas procedurës shumë kohë më parë.

“Ata ende nuk janë gati ta bëjnë këtë. Ata ende nuk i kanë dorëzuar të gjitha dokumentet dhe vazhdimisht kanë kërkuar kohë shtesë për të dorëzuar atë që do të duhej të ishte dorëzuar shumë kohë më parë, marrë parasysh faktin se, vitin e kaluar, kanë thënë para gjykatës se do të jenë gati të procedojnë në pranverë”, shprehet Kehoe.