Si sot një vit më parë Shqipëria u trondit nga tërmeti më i fuqishëm ndër dekada. Ishte ora 03:56, kur një lëkundje e fuqishme me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që zgjati për rreth 50 sekonda, goditi Durrësin dhe Tiranën, duke iu marrë jetën 51 personave dhe plagosur plot 913 të tjerë. Pasojat e këtij tërmeti tronditës ishin akoma më tragjike, pasi u prekën plot 202 mijë njerëz, teksa u shkatërruan qindra banesa.
Pallate, shtëpi, shkolla të shembura, njerëz që kërkonin ndihmë, ambulanca, makina policie e ushtrie shqiptare e të vendeve fqinje ishte tabloja e asaj tragjedie, mëngjesin e 26 nëntorit të kaluar.
Orët e para ishin kaotike, pasi shumë njerëz nën rrënoja luftonin mes jetës dhe vdekjes, ndërkohë të tjerëve iu duhej të përballeshin edhe me panikun që shkaktonin post-lëkundjet.
Solidariteti i vëllezërve, fqinjve dhe miqve nuk mungoi. Kosova, Italia, Greqia, Turqia, Franca e shumë vende të tjera sollën në Shqipëri ekipe të kërkim-shpëtimit që për ditë me radhë kërkuan nën rrënoja për trupat e viktimave.
Pas një viti, plagët ende nuk janë shuar. Durrësi dhe Tirana ishin dy prej bashkive më të mëdha që patën pasoja të rënda, por jo më pak edhe në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës.
Gjurmët e nate të 26 nëntorit të vitit të kaluar janë në kujtesën e kujtdo, që sot pas një viti kujton se jeta dhe vdekja ndahen me pak sekonda.