SHBA zgjeroi sot sanksionet kundër Rusisë dhe Vladimir Putinit, ku në listën e sanksioneve futi edhe dy vajzat e tij të rritura.
Në deklaratën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, edhe pse nuk përmendeshin emrat e vajzave, bëhej fjalë për Maria Vorontsova dhe Katerina Tikhonova, të cilat Putin i ka me ish-gruan e tij Lyudmila.
Edhe pse ai e ka pranuar se ka vajza dhe ka thënë se është krenar për to, Putin ka qenë gjithmonë i fshehtë për familjen e tij, sidomos fëmijët.
Vorontsova ka lindur në 1985 dhe është bashkëpronare e një kompanie mjekësore.
Tikhonova, e lindur në 1986, punon në një akademi dhe biznes. Ajo është gjithashtu një kërcimtare e talentuar dhe ka konkurruar në konkurse ndërkombëtare.
Në deklaratën e saj, Shtëpia e Bardhë tha se “këta individë janë pasuruar në kurriz të popullit rus”.