Me grupin u bashkuan edhe Maxhalaku e Tukaj

Me Kombëtaren Shqiptare të femrave janë bashkuar edhe Armera Tukaj e Rexhina Maxhalaku, ndërsa grupi vazhdon përgatitjet për dy sfidat kualifikuese për kampionatin Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Të enjten, kuqezezat presin Belgjikën në “Elbasan Arena” në orën 18:30, ndërsa më 12 prill përballen me Armeninë në transfertë.

Sulmuesja Tukaj e lumtur që është tashmë pjesë e kombëtares, flet për dy sfidat e radhës.

“Armenia është sigurisht një ekip që të vë në vështirësi, por me paraqitjen që kanë bërë vajzat këtu, që fituan 5-0, besoj se edhe aty do kemi një rezultat po pozitiv, siç kemi bërë këtu. Objektivat për këto dy ndeshje? Synimi ynë është fitorja me Armeninë, më pas fokus kemi që të lëmë pas dy Kombëtare të tjera”.

Edhe Maxhalaku analizon kundërshtarët, e shton se eksperienca e vajzave do të ndihmojë në arritjen e rezultateve pozitive.

“Mendoj që Belgjika është një kundërshtar i fortë, por ne do të japim më të mirën tonë. Ndërsa ndaj Armenisë kemi marrë një rezultat pozitiv dhe shpresoj se do të marrim një tjetër rezultat pozitiv. Sigurisht që do të ishte një arritje e madhe dhe këto rezultate do të na ndihmonin për të ardhmen tonë si ekip Kombëtar”.

Gjendja brenda grupit është e mirë dhe asnjë prej futbollistëve nuk ka shqetësime fizike.