Kryeministri Edi Rama e ka quajtur kampione për humbjet në Ujësjellës Kanalizime Bashkinë e Vlorës që drejtohet nga Dritan Leli.
Në mbledhjen që po mban në kryeministri me kryetarët e Bashkive në të gjithë vendin, Rama tha se situata me ujësjellësit është në pikiatë, dhe qeveria do të ndërhyjë menjëherë për të ndalur humbjet në këto ndërmarrje.
Rama tha se ndërmarrjen e ujësjellës kanalizimeve janë kthyer në vende ku punësohen armata të tëra njerëzish, dhe ku qytetarët nuk marrin shërbime për shkak të humbjeve të vazhdueshme.
Rama flet para kryebashkiakëve për ndërmarrjet e ujësjellësit:
Përshëndetje të gjithëve, sot jemi tre palë, ne si përfaqësues të qeverisë, ju si përfaqësues të pushtetit vendor, dhe në rreshtin mes nesh janë ata që e kanë shoqëruar këtë proces investimesh në rolin e partnerëve të vendit tonë.
Këtu kam një tabelë për investimet e bëra nga qeveria shqiptare nga viti 2014, ku hyjnë fondet nga buxheti i shtetit dhe fondet nga partnerët, të cilat janë kredi që iu kujtoj se do të paguhen nga qeveria shqiptare. Janë mbi 1 miliardë euro, që të jemi të saktë fare është 1 miliardë e afro 200 milionë euro. Këtu kam tre pyetje për të gjithë ju si kryebashkiak:
A jeni ju në dijeni të përformancës së Ujësjellës Kanalizimeve në Bashkinë tuaj?
Ju a i keni parë ndonjëherë vetë raportet, që më pas ia jepni qeverisë, numri i punonjësve në krahasim me standardet, e keni parë që ndonjëherë është jashtë logjike
Sa fonde keni alokuar ju nga buxheti i bashkisë për furnizimin me ujë.
Këto janë pyetje retorike, fakti i fundit ishte pika që përmbushi këtë është që ne rrisim investimet dhe ju rrisni humbjet. Rritja e investimeve duhet të përkthehet në rritje të shërbimeve për qytetarët.
Kam listën këtu dhe nuk dua që ti hyj me radhë, por kam kampionin këtu që është Bashkia e Vlorës, që është 78.9% humbje, është një kompani e falimentuar që vazhdon të marrë para nga shteti.
E si mund të vazhdojë kështu kjo histori, si mundet që këta drejtorë të jenë ende në punë, si ka mundësi që numri i të punësuarve të jetë sa një armatë.