Partia Socialiste ka ndërtuar një strategji të re për marrëdhënien e saj me Sali Berishën në Kuvend. Burime pranë Partisë Socialiste thanë se çdo gjë është bërë e qartë gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar Socialist pas seancës së paradites.

Kryesocialisti u ka kërkuar deputetëve që ta konsiderojnë ish-Kryeministrin “Berisha si inekzistent, si të mos jetë fare në sallë”.

“Berisha “non grata” në Parlament nuk është problemi ynë, është raporti i tij me PD-në. Ne nuk kemi pse të shuajmë apo të ndezim zjarrin që ata kanë ndezur. Për ne Berisha nuk ekziston në Parlament, prandaj nuk kemi pse merremi me të fare. Mos bini pre e provokimeve të tij. Ai do të kërkojë që të faktorizohet përmes ndezjes së një debati fiktiv në Parlament. Ne nuk duhet të biem viktima të këtij debati”, mësohet të jetë shprehur Rama në mbledhjen me deputetët e tij, pas seancës paraditen e djeshme.

BALLA

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, në mbledhjen e parë me deputetët e kësaj legjislature u ka kërkuar atyre një marrëdhënie të re me mediat.

Sipas tij, PS-ja, ndryshe nga Partia Demokratike, nuk do të ndalojë deputetët të komunikojnë me mediat, por ajo duhet të jetë një marrëdhënie më e kujdesshme, pa rënë pre e provokimeve të panevojshme shumë herë.

Madje, kjo strategji e PS-së është parë të zbatohet nga Kryeministri Rama në komunikimin e parë që pati dje me gazetarët në oborrin e Parlamentit.

“Jam shumë i vetëdijshëm që pa dashje, pa menduar se mund të kem tejkaluar kufirin dhe kam bërë atë që nuk e bën kurrë një boksier i peshës së rëndë me një boksier të peshës së lehtë, ka krijuar shqetësime për ju. Por nga sot, ju jap fjalën që do të bëj çmos që marrëdhëniet tona të jenë fantastike dhe që unë të jem në dispozicionin tuaj i urtë, i dëgjuar, i gatshëm. Në rast se kjo nuk do të ndodhi në ndonjë moment, ta dini që do të jetë thjesht vetëm gabimi im”, u shpreh kreu i qeverisë para gazetarëve dje në Parlament.

Më tej, kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i ka kujtuar deputetëve se ata nuk duhet të mungojnë asnjëherë në votime në sallën e Parlamentit, ndërsa kërkoi më shumë bashkëpunim mes deputetëve kur bëhet fjalë për diskutimet e nismave ligjore apo amendamenteve që do të duhet të kalojën në Kuvend.

Balla ka bërë edhe një përmbledhje të çështjeve që PS-ja do të ketë si objektiva parlamentare gjatë kësaj legjislature.