Kandidati i Primareve në Partinë Demokratike, për Bashkinë e Tiranës. Fatmir Merkoçi, mbrëmjen e sotme është shprehur se vendimin për kandidaturën e tij e ka marrë bazuar në kontributet e dhëna prej vitesh dhe për vlerat që ai ka brenda kësaj force politike.
Merkoçi theksoi se nëse do të fitojë primaret dhe më pas do të zgjidhet kryetari i Bashkisë së Tiranës, nuk do të lejojë që në kryeqytet të valëvitet flamuri i LGBT-së. Për këtë, u zotua pasi tha se është një person i cili nuk shkel mbi vlerat dhe sakrificat e popullit të Tiranës.
Fatmir Merkoçi: Ajo që është kryesorja, do të bëj që, në qoftë se deri më sot kam kërkuar që individuale dhe permanente minimumin jetik, po të jem kryetar bashkie do ta kërkoj në mënyrë institucionale sepse nuk mund të pranoj që një qytetar i qytetit tim të marri 4 mijë Lekë të vjetra asistencë, dhe ajo që është më kryesorja, duke qenë se i përkas të djathtës konservatore, nuk do lejoj në mënyrë kategorike që të valëvitet apo të vendoset flamuri i LGBT-së në Bashkinë e Tiranës.
Blendi Fevziu: Nuk do të lejosh?
Fatmir Merkoçi: Jo! Unë i besoj dhe i falem Zotit, kombit dhe familjes. Për këto 3 gjëra nuk e diskutoj fare, të gjithë më njohin dhe e dinë shumë mirë, qoftë të majtë apo të djathtë, që jam njeriu më i pakorruptueshëm në këtë vend. Nuk shkel mbi parimet, nuk shkel mbi varrin e të parëve, nuk shkel mbi gjakun tim që e kam derdhur në mes të Tiranës, nuk shkel mbi vuajtjet dhe sakrificat e popullit të Tiranës.