Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të enjten më 1 dhjetor 2022 vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të ish-kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj.  Vendimi për rëzimin e ankimit të Beçajt ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, është marrë në mënyrë unanime në dhomë këshillimi.

Trupi gjykues i Kolegjit është kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Mimoza Tasin dhe anëtarë Albana Shtyllën, Ina Ramën dhe Sokol Çomon, duke e larguar përfundimisht këtë subjekt rivlerësimi nga sistemi i drejtësisë.

Beçaj u shkarkua nga Komisioni më 3 korrik të vitit 2020, pasi u çmua se ajo kishte pasur detyrimin për të dorëzuar deklaratat për pasurisë, figurën dhe profesionalizimit brenda afatit të përcaktuar në ligj. Pretendimet e Beçajt se nuk ishte “gjyqtare në detyrë” në kohën e hyrjes në fuqi të legjislacionit të vetingut dhe se statusi i saj ishte i paqartë, u vlerësuan nga KPK si të pabazuara në ligj e të paprovuara.

Paqartësitë e pretenduara prej Beçajt lidhur me statusin e saj të magjistratit pas mbarimit të mandatit në Gjykatën e Lartë dhe vonesën e riemërimit në Gjykatën e Apelit u cilësuan si të padrejta nga Komisioni. Sipas KPK, Beçaj kishte fituar të drejtën e riemërimit në Gjykatën e Apelit Tiranë, si dhe shpërblimin e pagave të prapambetura falë statusit të magjistratit që gëzonte.

Në vendim konstatohet se Beçaj, falë eksperiencës dhe statusit që gëzonte, mund të kishte vlerësuar në mënyrë të saktë detyrimet që mbartte në funksion të procesit të rivlerësimit.

Shpresa Beçaj ka përfunduar studimet në drejtësi në vitin 1983 dhe e ka filluar karrierën si gjyqtare nga Gjykata e Gramshit. Ajo u emërua gjyqtare në Tiranë në vitin 1990 ndërsa në vitin 1994 u promovua si gjyqtare e Apelit të Tiranës. Në vitin 2004, Beçaj u dekretua gjyqtare në Gjykatën e Lartë ndërsa 4 vjet më pas u emërua kryetare e kësaj gjykate. Me përfundimin e mandatit në vitin 2013, Beçaj udhëhoqi një betejë ligjore kundër Këshillit të Lartë të Drejtësi për t’u rikthyer në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe e fitoi atë. Megjithatë, vendimi për emërimin e saj në Gjykatën e Apelit u shty deri në vitin 2018.

Ndërkaq, emri i Shpesa Beçajt u përmend në një kontekst komprometues nga Ilir Meta në videoskandalin në zyrën e Dritan Priftit, publikuar në vitin 2011, duke tronditur opinionin publik dhe bërë bujë edhe në arenën ndërkombëtare. Duke folur për pazare koncesionesh, emërimesh dhe interesash të ndryshëm, Meta i tha Priftit se i kishte punën mirë me Shpresa Beçajn, pasi i kishte emëruar vajzën si diplomate në Austri.