Elon Musk planifikon ndërtimin e një qyteti në Mars brenda vitit 2050, mirëpo kjo është më e lehtë e thënë sesa e bërë. Mbijetesa e humanëve në një planet tjetër, sidomos në një planet aq armiqësor sa Marsi, varet nga gjetja e zgjidhjeve të katër faktorëve kryesorë: infrastrukturës, qëndrueshmërisë, strehës dhe mbështetjes për jetën sipas Gisela Detrell, një inxhiniere hapësinore në German University of Stuttgart.

“Do të hasen shumë vështirësi në planetin Mars, që nga rrezatimi deri në sigurimin e ushqimit dhe oksigjenit që njerëzit kanë mjaft nevojë.” tha ajo. Detrell bën pjesë në një grup internacional të përbërë nga shkencëtarë dhe akademikë, firma e arkitekturës ABIBOO Studio dhe komuniteti Sustainable Offworld Network. Ky grup ka prezantuar planet për ndërtimin e qytetit të parë në Mars, Nüwa. Emri Nüwa vjen nga perëndia mitologjike kinëze që shkriu gurë të ndryshëm me ngjyra për të ngjyrosur qiellin.

Detrell punon në fushën e sistemeve të mbështetjes së jetës dhe tregon se astronautët do të marrin me vete të gjithë ushqimin, ujin dhe oksigjenin e nevojshëm për të mbijetuar. Mirëpo për të krijuar një qytet me 1 milionë banorë, duhet të mbështetemi vetëm tek resurset që gjenden në Mars, pasi transportimi i tyre është tërësisht i pamundur.