Një 59 vjeçar nga Fushë Miloti ka rënë në prangat e Policisë, pasi në oborrin e shtëpisë së tij janë gjetur të mbjella disa rrënjë kanabis. Po ashtu, nga Shërbimet e Kurbinit është shpallur në kërkim dhe një 50 vjeçar tjetër sepse tokën e kishte mbjellë me drogë.
“Shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, bazuar në informacione të marra në rrugë operative, për dy shtetas që kishin kultivuar bimë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Loading”.
Si rezultat i këtij operacioni janë evidentuar dhe goditur 2 raste të kultivimit të bimëve narkotike, konkretisht:
Në Fushë Milot, Kurbin, në oborrin e banesës së shtetasit B. K., 59 vjeç, banues në Fushë Milot, Kurbin, shërbimet e Policisë kanë gjetur të kultivuara bimë të dyshuara narkotikë cannabis sativa të kultivuara, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. K., për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”;
Në një sipërfaqe toke në fshatin Shullaz, janë gjetur të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, si dhe një armë zjarri automatik me një sasi municioni luftarak. Në vijim të veprimeve hetimore është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar i këtyre veprimtarive kriminale, shtetasi K. M., 50 vjeç, banues në Shullaz, Kurbin, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”. Vijon puna për kapjen e tij.”, njofton Policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.