Kur Nuredin Dumani kuptoi nga shtrati i spitalit se Henrik Hoxha, shoku dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt, ka vendosur të flasë dhe të dëshmojë për prokurorinë, edhe ai kërkoi dikë t’i rrëfehet.
Pas një dëshmie maratonë me orë dhe ditë të tëra, Nuredin Dumani është ndaluar edhe te një listë me persona, emra dhe foto që ai mbante në telefonin e tij dhe që prisnin që të ekzekutoheshin.
Mes tyre gjendej fotoja e një emri mjaft të njohur të Policisë së Shtetit.
Hetuesit janë tronditur kur kanë mësuar se bëhet fjalë për oficerin e krimeve të rënda, Krenar Guçe, i cili ishte listuar si një nga personat që duhej të eliminohej për llogari të Erion Alibejt, djalit nga Elbasani, i cili kishte marrë përsipër një hakmarrje të pafre kundër kujtdo që kishte marrë pjesë në ngjarjen e rëndë të Bradasheshit, ku ai humbi vëllanë, xhaxhanë dhe një mikun e tyre, shtetas turk.
Masakra me tre të vrarë solli një zinxhir vrasjesh, por edhe dëshmitarin e parë të drejtësisë për bëmat e Elbasanit, një djalë të ri, që kishte kryer një krim makabër ndaj një të njohurit të tij, duke e masakruar me thika, se i kishin premtuar para.
Mesa duket, ka qenë dëshmia e këtij të riu, marrë nga oficeri Krenar Guçe, që ka bërë të mundur hedhjen dritë mbi vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe më pas masakrimit të Renis Runajt, vrasje këto të ndodhura në një hark të shkurtër kohor të gushtit të vitit 2020, pasi në fakt ishin kryer edhe 2 ngjarje të tjera, me katër të vrarë në Durrës dhe nga ku ishte përfituar edhe një tjetër dëshmitar me emrin Klevis Alla.
nëse djali nga Durrësi kishte dhënë emra dhe detaje për vrasjen e vëllezërve Haxhia dhe më pas edhe të atentatit ndaj Anxhelo Avdisë dhe Dorian Shkozës, kishte nxjerrë emrin e Altin Ndocit dhe lidhjet e tij me Nuredin Dumanin dhe Talo Çelën, Euglen Halili nga Elbasani pranoi aktin e rëndë që kishte kryer dhe personat që i kishin thënë për ta kryer.
Porositësi, sipas tij, kishte qenë Erion Alibej, ku falë kësaj dëshmie ai u vu në pranga nga Policia e Shtetit.
Nga dëshmia e Nuredin Dumanit u mësua se Erion Alibej ishte në dijeni të punonjësit të Policisë që kishte marrë dëshminë e Halilit, dëshmi që kishte çuar në pranga edhe ushtarin e Alibejt dhe shokun e Halilit, Xhuliano Hoxhaj.
Dhe për këtë fakt, dyshohet se Erion Alibej, i kërkoi Nuredin Dumanin ekzekutimin e oficerit të Policisë, ku prania e fotos së tij në telefonin e vrasësit ka tronditur strukturat hetimore./panorama.al