Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, panë dje nga afër pasojat e luftës që ushtria ruse po kryen në Ukrainë që prej 24 shkurtit. 

Pas vizitës 12-orëshe me tren, dy krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor u pritën nga forca të shumta ushtarake dhe delegacioni ukrainas në Kiev. Vizita e tyre nisi në Bucha, e më pas në Borodyanka e Irpin, tre ndër qytetet e prekura nga masakrat dhe varret masive të civilëve.

Më pas ata vizituan ekspozitën për luftën rusoukrainase, ku panë të dokumentuara tmerret me të cilat është përballuar populli ukrainas. Rama e Abazoviç u takuan me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Nga aty, tre liderët mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp. Vizita vijoi me takimin e Kryeministrit të Ukrainës, Denys Shmyhal dhe kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko. Gjatë vizitës, pati shumë forca sigurie të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Ukrainës.

Ballkani Perëndimor do të rindërtojë ndërtesat e banimit në Irpin dhe Shqipëria do të bashkohet me vendet e rajonit për të ndërtuar një bllok ndërtesash në shenjë solidariteti.

Kryeministri Edi Rama, në krah të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, e garantoi atë se Ballkani Perëndimor është gati të rindërtojnë një bllok banesash për familjet në Irpin. Gjatë vizitës në Ukrainë, kreu i qeverisë shqiptare pa nga afër edhe shkatërrimet në Irpin, një nga qytetet e goditura nga forcat ruse.

“Personalisht, hezitoja të vija sepse përmasat e këtij tmerri janë të skajshme dhe mundësia që ka Shqipëria për të ndryshuar fatin e kësaj lufte, nuk është aspak e mjaftueshme. Por në të njëjtën kohë, nuk mund të mos i përgjigjesha ftesës suaj e nuk mund ta humbnim këtë moment me ju. Jam mirënjohës për mikpritjen bujare dhe për dëshirën për të ndarë me ne një pjesë mjaft të vogël të realitetit që më parë e kemi parë përmes fotove.

Jam vërtet i lumtur që ratë dakord me propozimin tonë për të bashkuar përpjekjet e për të ndërtuar një bllok secili prej vendeve ndërtesën e tij për familjet dhe fëmijët e Irpinit. BE e shumë të tjerë janë tashmë pjesë e kësaj përpjekjeje, por le ta bëjmë në mënyrë ballkanike, pa shumë burokraci, të jemi të parët që e bëjmë këtë gjë”, theksoi z. Rama.

Nga Kievi, në konferencë për shtyp me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri Edi Rama konfirmoi se Shqipëria mbështet Ukrainën në kërkesën e saj për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. I shoqëruar në këtë vizitë edhe nga Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, Edi Rama e konsideroi situatën në Ukrainë “tmerr të përmasave të skajshme”.

“Shprehim mbështetjen e plotë që BE t’i japi Ukrainës statusin e vendit kandidat. Jemi më shumë se të lumtur që t’i bashkojmë emrat tanë me tuajin në këtë deklaratë të përbashkët, pasi nuk duam që askush të spekulojë me faktin që BE nuk e ka mbajtur fjalën për ne dhe ndoshta nuk do të ndihemi mirë që realizon diçka për Ukrainën.

Jo nuk është kështu. Këto janë dy çështje krejt të ndara. Natyrisht ne nuk jemi të kënaqur me BE-në. Por jemi plotësisht të angazhuar ndaj rrugëtimit europian për shkak të së ardhmes së brezave tanë të ardhshëm. E kuptojmë këtë dëshirë të zjarrtë të Ukrainës për ta pasur këtë gjë. Nga ana jonë keni mbështetje të plotë.

Shqipëria si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe bashkënismëtare për rezolutën e OKB-së me SHBA-në, është e privilegjuar t’u japë zë rreth asaj tryeze shqetësimeve dhe kërkesave të popullit Ukrainës për një paqe të drejtë”, u shpreh Edi Rama.

Presidenti Ukrainas, Volodomir Zelenskyy, shprehu besimin se takimi me Edi Ramën dhe Dritan Abazoviçin dëshmon mbështetjen e Shqipërisë dhe Malit të Zi ndaj Ukrainës. Ai tha edhe Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në BE, duke mos e parë njëra-tjetrën si rivale, por si plotësuese e njëra-tjetrës.

“Ky takim është një dëshmi për mbështetjen për Ukrainën nga ana e tyre, për sovranitetin e saj dhe kauzën për anëtarësimin në BE, për të vënë përpara drejtësisë përgjegjësit e krimeve. Gjatë luftës, paketa e shtatë e sanksioneve duhet të ndihet në mënyrë akute nga Rusia, duhet të jetë përgjigje strategjike ndaj agresionit rus, na duhet të shmangim çdo zonë gri në Europë. Shqipëria, Ukraina, Mali i Zi dhe Maqedonia, duhet të integrohen në BE. Nuk jemi rivalë, por plotësojmë njëra-tjetrën. Ju falënderoj për mbështetjen, që mbështesni njerëzit tanë dhe shpresoj që shumë shpejt do të jemi në gjendje së bashku për të punuar për rindërtimin e Ukrainës”, theksoi z.

Zelenskyy. Nga Kievi, në një takim me Kryeministrin e Ukrainës, Denys Shmyhal, Kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se Shqipëria qëndron krah Ukrainës në kërkesën e saj për të marrë statusin e vendit kandidat për t’u bërë pjesë e BE-së. Kryeministri kërkoi që Ukraina ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

“Ka një vend tjetër në BP, Kosova, që prej ditës së parë është rreshtuar krah Ukrainës deri në fund. Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën dhe e thashë edhe publikisht që ju të rikonsideroni njohjen e Kosovës, pasi ata njerëz e meritojnë dhe ata realisht dëshmuan diçka të jashtëzakonshme, sepse nuk mbetën peng i së shkuarës për të kujtuar si Ukraina u soll atëherë kur Kosova sulmohej, por qëndruan për atë që besonin për Ukrainën. Do të ishte mirë që Ukraina të rikonsideronte dhe të përçonte mesazhin e duhur në emër të Komunitetit të ri Europian”, theksoi z. Rama.