Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar vetëdeklarimi i pasurisë pesë personave në Elbasan dhe Peqin.
Bëhet fjalë për Mustafa Methasën, banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”; Dylaver Methasën, banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”; Arsen Sallën, banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; Ervis Çelën, banues në Peqin, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe Ardjan Çelën, banues në Peqin, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.