Një kolonë e mbështetur nga Kombet e Bashkuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq do të përpiqet të largohet nga Mariupol të hënën, tha këshilli i qytetit në një postim në Telegram.

“Ka një lajm të mirë. Me mbështetjen e OKB-së dhe Kryqit të Kuq, sot janë rënë dakord për dy lokacione shtesë për dërgimin e njerëzve me autokolonën e evakuimit që do të dalë nga Mariupoli”, thuhet në postim.

Sipas këshillit të qytetit, kolona do të mbledhë civilë në disa pika rrotull Mariupolit përpara se t’i çojë në dy fshatra pranë qytetit jugor të Ukrainës, Berdiansk.

Evakuimet e civilëve nga Mariupol, i cili ka duruar javë të tëra bombardimesh dhe sulmesh ajrore ruse, u ndërprenë nga autoritetet lokale të dielën për “arsye sigurie”.

Para pauzës, rreth 100 njerëz u evakuuan me sukses nga fabrika e rrethuar e çelikut Azovstal. Sipas vlerësimeve të fundit, rreth 100,000 civilë mbeten ende në qytet.

Javën e kaluar, gjatë një takimi kokë më kokë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres në Moskë, Presidenti rus Vladimir Putin ra dakord në parim që të lejojë OKB-në dhe Kryqin e Kuq të ndihmojnë në evakuimin e civilëve nga Mariupol.