Prokuroria e Posaçme (SPAK), ka njoftuar për finalizimin e një operacioni të zhvilluar në 18 prill të këtij viti kundër krimeve të mashtrimit kompjuterik nëpërmjet “call center” kundër një grupi me bazë në 4 shtete të Ballkanit dhe në Liban.

Hetimi për këtë rast, ka nisur në dhjetor të vitit 2023 pasi policia gjermane parandaloi një tentativë mashtrimi me dëm të mundshëm prej mbi 100 mijë eurosh, ngjarje që u parandalua falë një punonjësi të bankës. Sipas numrave të telefonit të grupit të strukturuar kriminal, deri më tani rezultojnë mbi 10 mijë raste të mashtrimit me dëme në mbi 10 milionë euro.

Autoritetet hetuese nga Baden-Württemberg, kanë zbuluar me sukses atë që është ndoshta mashtrimi më i madh në Evropë në qendrat e thirrjeve dhe kanë kërkuar ndihmë juridike nga institucionet shqiptare.

Pas kësaj kërkesë, SPAK ka nisur hetimet ndaj grupit kriminal për veprën penale “mashtrim kompjuterik”. Hetimet sollën identifikimin e dy adresave nga ku kryheshin thirrjet telefonike dhe banesës së personit që dyshohet si drejtues i këtij aktiviteti mashtrimi, i identifikuar si E.S.

Ky i fundiit ishte pjesë e rrjetit të thirrjeve në katër shtete në Ballkan dhe Liban. Pas kontrollit të kryer më datë 18 Prill në ambientet e identifikuara, u gjetën dhe sekuestruan:

6 njësi kompjuterike Laptop; 1 njësi kompjuterike PC; 11 aparate telefoni celularë; 2 monitorë kompjuteri; 1 USB; 1 pajisje monitorimi kamera sigurie; 10 110 Euro; 3 Automjete; 2 ora të markës “Ademars Piguet”; dokumente të ndryshme me të dhëna të viktimave dhe të funksionimit të këtij aktiviteti të kundërligjshëm; sasi lënde narkotike.

Për lëndën narkotike të gjetur, janë arrestuar në flagrancë dy persona ndaj të cilëve po vijon hetimi. Ndërsa po kryhen të gjitha analizat e hollësishme për hetimin e rolit të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Top Channel