Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur prej paradites së sotme senacën për caktimin e masave të sigurisë për personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”, për goditjen e 8 grupeve kriminale.

Por gjatë shoqërimit të një prej të arrestuarve, Policia ka bërë një gafë. Në vend të shtetasit Ilirjan Feçi është shoqëruar në Gjykatën e Posaçme një person tjetër, një qytetar që është ndaluar për vepër tjetër penale dhe nuk ka lidhje me Feçin.

Ilirjan Feçi ndodhet në burgun e Shënkollit, i arrestuar më parë për vepër tjetër penale, por sot do të shoqërohet për në GJKKO për t’u njohur me masë tjetër sigurie. Emri i tij doli nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

39 vjeçari ka thënë se me Ilirjan Feçin ka marrë pjesë në një grabitje në Elbasan, ku është vjedhur më shumë se 8 kg flori. Pritet që Feçi të sillet në Tiranë dhe t’i komunikohet masa e sigurisë.

Gjyqtarët kanë urdhëruar të njëjtën gjë, duke kërkuar nga Policia që të kthente mbrapsht qytetarin dhe në sallën e gjyqit të sjellë sot Ilirjan Feçin. Seanca është duke vazhduar dhe aktualisht dhe pritet të zgjasë disa orë.

Ndërkohë, dy nga të arrestuarit e tjerë në kuadër të këtij operacioni, Florian Çekrezi dhe Asllan Plaku, do të mbrohen nga avokatë të caktuar nga shteti. Ata janë pyetur në sallë nëse kishin avokat, por askush nuk kishte shkuar t’i mbronte.

Çekrezi e Plaku pretendojnë se avokatët e tyre nuk janë paguar, ndaj nuk kanë shkaur në seancën e sotme.

Asllan Plaku është i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.”