6 mijë trupa ushtarake të SHBA do të zhvillojnë në Shqipëri një nga stërvitjet më të mëdha të Forcave të Armatosura. Për të koordinuar projektin ambasadorja amerikane, Yuri Kim, zhvilloi një takim në Presidencë me krerët më të lartë të shtetit, ku përballë u vunë dhe kryeministri Rama e kryetari i PD-së Basha.

Përgatitjet për një nga stërvitjet më të mëdha të ushtrisë amerikane në Evropë vendosën përballë në tryezën e Presidentit kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Takimi u zhvillua pasditen e sotme, 3 shkurt, në selinë e Kreut të Shtetit me pjesëmarrjen e Ambasadores se Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, dhe dy drejtues të lartë të Forcave të Armatosura të SHBA-ve.

Në deklaratën për mediat u bë e ditur se qëllimi i diskutimit ishte koordinimi i masave paraprake për eventin e rëndësishëm ushtarak, ndërsa presidenti Ilir Meta shprehu mirënjohje ndaj SHBA për mbështetjen e pakursyer.

Shqipëria është një partnere strategjike e sigurisë për Amerikën, tha në një reagim ambasadorja Yuri Kim.

Shqipëria, thuhet më tej, po investon ndjeshëm për të forcuar gatishmërinë e saj për mbrojtjen kolektive të NATO-s, duke punuar ngushtë me SHBA për të përmirësuar aftësitë në të gjitha fushat.

Po në këtë kuadër Shqipërinë e vizitoi të mërkurën zëvendëskomandanti i Ushtrisë Amerikane për Evropën dhe Afrikën i cili zhvilloi një takim me Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.

Në stërvitjen që do të mbahet nga data 1 maj deri më 14 qershor 2021 do të marrin pjesë rreth 6 mijë trupa nga 26 vende aleate ndërsa “Defender Europe 21” do të shtrihet në disa vende të rajonit tonë.

Ora tv